DURRËS, 17 dhjetor 2013 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili sapo është kthyer nga Apeninet, ku ka shoqëruar kryeministrin Edi Rama, ka pritur në një takim delegacionin italian të maratonistëve të skuadrës “People Runners”, që i ka dorëzuar Bluzën e Dialogut, simbol i ekspozitës fotografike kushtuar Nënë Terezës. Bluza është nënshkruar nga fitues të çmimit Nobel për Paqen. Projekti i Muzeut Ndërkombëtar të Nënë Terezës, parashikon lënien e një hapësire brenda tij për qytetet që kanë mbështetur këtë projekt dhe qyteti i Durrësit është një prej tyre. Kjo nismë është pjesë e projektit për realizimin e muzeut ndërkombëtar të Nënë Terezës dhe pjesë e projektit për promovimin e dialogut ndërfetar “Progetto Dialogo”. Skuadra “People Runners CRIMAN”, është nisur nga qyteti i Reggio Emilias në Itali dhe pas kalimit të kësaj skuadre në te gjithë Italinë, ndalon në Durrës për të vazhduar më pas në Tiranë. Në qytetin e Tiranës, skuadra do të dorëzojë Bluzën e Dialogut në çeljen e ekspozitës fotografike kushtuar Nënë Terezës. Ekspozita fotografike do të përurohet ditën e enjte, 19 dhjetor pranë Institutit Italian të Kulturës në Tiranë dhe pas Tiranës ekspozita dedikuar Nënë Terezës do të paraqitet dhe në Durrës. Fotot: Dorian Agolli, zëdhënës i bashkisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





