TIRANE, 14 dhjetor 2013 – Lakimin e emrit te Alketa Vejsiut  një prej kandidaturave të mundshme për të drejtuar Radio Televizionin Publik Shqiptar,  prezantuesja e mohon në një status të publikuar  në rrjetin social “Facebook”.

Kam muaj që marr dhjetëra mesazhe urimesh për emërimin e ri si drejtoreshë e TVSH. Nuk e di nga doli e si u shpërnda me shpejtësi virale ky hamendësim. Faleminderit të gjithëve atyre që më kanë parë si kandidate potenciale. Në Radio Televizionin Shqiptar ka nisur jeta ime në televizion, për nostalgji do të kthehem, por jo në karrigen e drejtoreshës. Jam e bindur që këtë post do ta meritojë me të vërtetë një figurë me integritet që mund të jetë i aftë të revolucionarizojë e transformojë rrënjësisht këtë institucion. Për të gjithë kureshtarët; projektet televizive dhe sipërmarrja e re në biznes më përmbushin dhe impenjojnë plotësisht. Suksese atyre që kanë aplikuar dhe aspirojnë këtë oportunitet të shkëlqyer për të dhënë një kontribut për demokratizimin dhe përparimin e një televizioni publik. Uroj të ngjasojë me mua vetëm në një pikë: “T’i bëjë gjërat me zemër”!”, përfundon Alketa.