Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka paraqitur nga qyteti bregdetar nismën filantropike “Shqipëria dhuron”, e cila synon të mbështesë të gjithë njerëzit në nevojë, pensionistët, invalidët dhe kategoritë në vështirësi

DURRËS, 13 dhjetor 2013 – Është zgjedhur Durrësi për të shpallur një mision filantropik të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore, kështu Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka paraqitur më 13 dhjetor 2013 nga qyteti bregdetar nismën “Shqipëria dhuron”, e cila synon të mbështesë të gjithë njerëzit në nevojë, pensionistët, invalidët dhe kategoritë në vështirësi. “Secili mund të bëjë diçka dhe kjo është dita e parë e kësaj nisme. Ne synojmë që gjatë një muaji të sensibilizojmë të gjithë qytetarët për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që ka nevojë, veçanërisht në këto ditë para festave të fundvitit, – tha ministri Veliaj. – Ne synojmë të kemi një Shqipëri më solidare”, -shtoi ai. I pyetur nga gazetari Gjergj Thanasi se çfarë do të bënte më 14 dhjetor 2013, Erion Veliaj deklaroi se ai vetë “do të dhurojë rrogën për azilin e të moshuarve në kryeqytet. Ashtu si qeveria po bën të gjitha përpjekjet për të mbështetur shtresat në nevojë, njerëzit që drejtojnë duhet të japin shembullin e tyre të solidaritetit”. Ministri Erion Veliaj mori pjesë në festën e organizuar në qendrën e zhvillimit të fëmijëve në Durrës, ku kanë gjetur strehë dhe shërbim 37 fëmijë. Atyre iu dhuruan pakot e përgatitura nga Banka Botërore dhe IFC-ja (Koroprata Financiare Ndërkombëtare, pjesë e Grupit të Bankës Botërore). Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Ilira Sakiqi, tha se që prej tre vjetësh institucioni ndërkombëtar ka mbështetur fëmijët në nevojë dhe këtë vit ajo ka siguruar ngrohjen e institucionit për gjithë periudhën e dimrit si dhe një sërë mjetesh të domosdoshme për jetën e përditshme të fëmijëve. Veliaj ka falënderuar edhe komunitetet fetare të krishtera që kanë ndihmuar këtë qendër, duke bërë të ditur se ka gjetur edhe mirëkuptimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Pasi vizitoi mjediset e qendrës, ministri ka vlerësuar lart punën e edukatoreve, punonjësve socialë, bashkëpunimin e tyre me prindërit e fëmijëve. Veliaj ka biseduar me fëmijët.  

Fotot: Mirësjellje e Gëzim Kabashit – ATSH.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/