TIRANE, 12 dhjetor 2013 – Demokratët kremtuan mbrëmjen e sotme në ambientet e Pallatit të Kongreseve 23-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Pas transmetimit të një dokumentari historik, që tregoi rrugën përmes së cilës ka kaluar PD-ja përgjatë 23 viteve të saj, kryetari Lulzim Basha përshëndeti të gjithë të ftuarit dhe shprehu nderim dhe mirënjohje për të gjithë demokratët. Gjithashtu kryetari i PD shprehu bindjen se Partia Demokratike do të ringrihet me të njëjtën forcë që u themelua 23 vite më parë.
“Asgjë dhe askush nuk mund ta gjunjëzojë PD-në. Ajo është ngritur e ringritur gjithnjë e më fortë. Ne do ta ringremë fuqinë e PD-së me të njëjtën forcë që u themelua 23 vite më parë, për ta kthyer atje ku e ka vendin, në drejtimin e Shqipërisë moderne dhe europiane.”- u shpreh Basha.
Si çdo herë tjetër, demokratët kishin prezentë në festën e tyre edhe partitë aleate, republikanët, legalistët, ballistët, PDIU-në etj. Gjithashtu të ftuar ishin edhe trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri dhe krerët e komuniteteve fetare.
Bashkë me demokratët në këtë përvjetor, janë ftuar krerët e partive të tjera parlamentare, përfshi edhe partitë e majta. Ftesë u është dërguar para 6 ditëve kryeministrit, Edi Rama dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Por kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm në festën e demokratëve, për shkak të axhendës së tij zyrtare jashtë shtetit. Rama sot ndodhet në shtetin fqinj Itali, ndërkohë që kreu i LSI-së, Ilir Meta, ashtu siç kishte paralajmëruar ishte i pranishëm në festën e PD-së. Gjithashtu në festë është parë edhe nënkryetari i Kuvendit Vangjel Dule,njëherësh kreu i PBDNJ-së.
Prej disa vitesh PD-ja e ka bërë traditë të saj ftesën për të festuar së bashku edhe me krerët e partive të majta, ndërkohë që Ilir Meta ka qenë i pranishëm në ceremoninë e të djathtëve përgjatë katër viteve të qeverisjes me PD-në. Ndërkohë që socialistët, vitet e kaluara janë përfaqësuar në festën e demokratëve me deputetët Arta Dade, Valentina Leskaj dhe Kastriot Islami.






