12 dhjetor 2013- Në Bashkinë e Elbasanit nisi sot zbatimi i projektit për “Modernizimin e Ndihmës Ekonomike”, çka synon uljen e abuzimeve me skemën e ndihmës sociale dhe shkurton kohën e aplikimit.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në prezantimin e këtij projekti pilot të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i mbështetur nga Banka Botërore, siguroi se “kjo skemë do të jetë objektive, transparente dhe do të shmangë në mënyrë drastike korrupsionin dhe gjithë pasojat e prodhuara nga korrupsioni”.
Duke theksuar se me këtë projekt nis një punë nga themelet për të përmbysur sistemin që bëri që për vite me radhë t’iu hahet haku atyre që i’u takon realisht pagë si invalidë apo ndihmë ekonomike, Kryeministri u shpreh se “do të bëjmë të mundur që fati dhe vendimmarrja për çdonjërin nga njerëzit realisht në nevojë të mos jetë më në dorën e një administratori, e një burokrati apo qoftë edhe një kryetari komune”.
Nisur nga situata që ka trashëguar kjo qeveri për sa i përket pagesave të ndihmës ekonomike, Rama shprehu shqetësim se është një situatë ende më e rëndë seç ishte paraparë dhe një situatë më shumë se shqetësuese, sepse korrupsioni ka goditur ata që janë më të dobëtit.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, zoti Qazim Sejdini shprehu kënaqësinë që Elbasani u përzgjodh si bashki pilot.
Drejtuesja e Projektit nga Banka Botërore, znj. Aylin Islik Dimeklik vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare për këtë projekt dhe tha se po punohet edhe për ngritjen e “Sistemit të Menaxhmit të Informacionit”.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, siguroi se për të zgjidhur në kohë afatgjatë problematikën në skemën e ndihmës ekonomike po shkohet drejt një sistemi dixhital, nëpërmjet të cilit “do të bëhet një targetim më i mirë dhe do të arrihet që vitin tjetër të reduktohen abuzuesit në nivelin 15 – 20 %”.





