Filantropia 2013: biznesi kosovar më zemërgjeri në Ballkan, 45 vende më lartë se Serbia

DURRËS, 12 dhjetor 2013 –  Grekët, kroatët, shqiptarët, malazezët, serbët, maqedonasit, turqit, bullgarët dhe rumunët renditen në fund të listës botërore për filantropi, kështu biznesmenët e Ballkanit rezultojnë më kurnacët në botë, duke përjashtuar ata të Kosovës, që CAF-i (Charities Aid Foundation) e njeh edhe si shtet më vete. Sapo është botuar indeksi botëror i filantropisë 2013 (World Giving Index 2013), ku përfshihen 135 shtete, mes tyre edhe Republika e Kosovës, ndonëse ende nuk është anëtare e OKB-së.

Na nderon Kosova

Befasia është se shteti më i ri i botës, Kosova, renditet në vendin 78 për filantropi, teksa vendet e tjera të Ballkanit futen në 30 shtetet me biznesmenët më kurnacë të botës, duke filluar me Greqinë në vendin e fundit, pastaj me Kroacinë në të parafundit, Shqipërinë në vendin 133, Turqinë 128, Malin e Zi 126, Serbinë 123, Maqedoninë 118, Bullgarinë 118, Rumaninë 105. Është domethënës fakti që Greqia, Kroacia, Bullgaria dhe Rumania janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Jo vetëm ballkanasit

Përveç vendeve të Ballkanit, në fund të listës janë edhe Kina 133; Kongoja 131; Jemeni 131; Ruanda 128; Palestina 127; Rusia dhe Mali, që me Serbinë ndaj vendet 123, 124, 125; Benini, Jordania dhe Lituania, që ndajnë vendet 120, 121, 122; Gjeorgjia dhe Vietnami që ndajnë vendet 116 dhe 117 (shih tabelën nr. 2).

Më bujarët

Pasanikët dhe sipërmarrësit më bujarë janë ata të SHBA-së, që kryesojnë, pastaj ata Kanadasë, Mjanmarit (ish-Birmania), Zelandës së Re, Irlandës, Britanisë së Madhe, Australisë, Holandës, Katarit, Sri Lankës, Norvegjisë, Maltës, Zvicrës, Libisë, Austrisë, Filipineve, Hong-Kongut, Islandës, Indonezisë, Nigerisë etj (shih tabelën nr. 1).

Çmimet e Tiranës

Më 6 dhjetor 2013 në Tiranë, në prani të një audience të gjerë të ftuarish me përfaqësues nga sektori i biznesit, ai jofitimprurës, qeverisë shqiptare, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri si dhe institucione donatore dhe media, në ceremoni u shpallën fituesit e Çmimit të Filantropisë 2013. Çmimi për kontribut në nivel kombëtar iu akordua Fondacionit ABC për kontributin e dhënë në mbështetje të zhvillimit social, ekonomik e mjedisor në vend, e në veçanti për ndihmën e konsiderueshme ndaj komunitetit rom përmes rikonstruksionit të qendrës transite të emergjencave, si dhe mbështetjen në infrastrukturë për ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit. Çmimi për kontribut në nivel lokal iu akordua kompanisë Albanian Mobile Communications për kontributin e dhënë në mbështetje të grupeve në nevojë, nëpërmjet rikonstruksionit dhe sistemimit të ambienteve të shtëpisë së të moshuarve në qytetin e Fierit. Çmimi për kontributin si individ iu akordua Keti Bazhdarit për kontributin e veçantë në fushën e artit dhe kulturës në mbështetje të artistëve të rinj e pasurimin e jetës kulturore në qytetin e Shkodrës, si dhe për mbështetje të vazhdueshme për grupet në nevojë. Çmimi special “Pionieri i Filantropisë” iu akordua Anastas Avram Lakçes (pas vdekjes) për kontribut të shquar në përhapjen e gjuhës shqipe përmes mbështetjes së botimeve në shqip, financimit për hapjen e shkollës së parë në Korçë dhe mbështetjen e botimit të një prej veprave më të shquara të letërsisë shqiptare të Rilindjes “Bagëti e Bujqësi” të Naim Frashërit. Certifikatë mirënjohjeje iu akordua Kozara Katit për kontribut të çmuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, iniciativën dhe mbështetjen e kauzave sociale.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/