Nga Gladiola Busulla
Shpeshherë pyes veten:” Ku kanë përfunduar mirësjellja dhe edukata” në ditët e sotme?!
12 dhjetor 2013 – Përse njerëzit e sidomos të rinjtë e kanë kaq të vështirë t’u ofrojnë vendin e tyre në autobus, një të moshuari ose një gruaje shtatzënë?! Unë e di, se ç’mund t’ju vijë ndër mend në këto momente. Ndoshta ju kujtohet një nëpunës i pasjellshëm, një trokitje dere e munguar apo një i panjohur që u soll çuditshëm, pse nuk i hapët rrugën.Të flasim hapur. Shumica e njerëzve që na rrethojnë mezi thonë ose nuk thonë fare “të lutem”, “më vjen keq”, “faleminderit”, teksa janë pikërisht detajet, ato që bëjnë diferencën. Mirësjellja dhe respekti lejojnë që një shoqëri të zhvillohet normalisht. Duket si një gjë e parëndësishme, por një buzëqeshje apo një falenderim i thjeshtë mund të ndryshojnë humorin apo ditën e dikujt.
Të gjithë janë të zënë e të preokupuar duke u përpjekur të kryejnë një mori punësh njëkohësisht. Ndoshta të tregohen të sjellshëm me dikë, mund të jetë mendimi i tyre i fundit, por ( ka gjithmonë një por), s’dua ta besoj se homo sapiensi është vërtet kaq i pandërgjegjshëm sa të mos i interesojë aspak komforti shpirtëror ose ndjeshmëria e të ngjashmit të vet.
A jemi mjaftueshëm të ndërgjegjshëm se shoqëria jonë përdor cilësimin pezhorativ “qorr” për këdo që mban syze, qoftë ky fëmijë apo i rritur? Për të mos përmendur shprehjet ofensive kundrejt personave me aftësi të kufizuara apo moskonsideratën e patolerueshme ndaj figurës së mësuesit, edukatorit, heroit kombëtar, personaliteteve fetare, letrare etj. Dhe kjo është për të ardhur keq ! Ndonëse ”për të ardhur keq” e kam përdorur si eufemizëm.Por a mbetet gjithsesi vend për respekt, dashamirësi dhe mirësjellje në shoqërinë tonë? E vetmja zgjidhje për këtë mbetet etika e reciprocitetit ose “rregulla e artë”, të cilën mund ta përkufizosh në shumë mënyra. Unë po jap sugjerimet e mia:” Mos i bëj tjetrit atë që s’do të të bëjnë ty” dhe “Mos i impono askujt të suportojë, atë që ti vetë s’do ta duroje dot”.
Gjithashtu dhe ju të dashur miq, mund t’u referoheni qindra rregullave të tjera të arta, po kaq të vlefshme e të çmuara sa të sipërpërmendurat.Të sillesh mirë nuk do të thotë domosdoshmërisht të pëlqesh apo të pëlqehesh nga të tjerët, nuk je aspak i detyruar për këtë. Manierat e mira janë një standard për t’u ndjekur, sepse lehtësojnë ndërveprimin mes njerëzve dhe sjellin bashkëjetesë më të paqtë. Si gjithnjë, barra kryesore bie mbi prindërit e arsimtarët. Ata janë të vetmit që mund të ndryshojnë kursin e shoqërisë duke i distancuar në maksimum fëmijët nga sjelljet e pahijshme; me edukatën dhe mësimet e duhura mund t’i ofrojnë një botë më miqësore së ardhmes.
Njëkohësisht, secili prej nesh mund të japë kontributin e tij modest duke u përpjekur të jetë pak më i sjellshëm.
Bëje ti i pari! Ndoshta dhe të tjerët do të ndjekin shembullin tënd.





