TIRANE, 12 dhjetor 2013 –Demokratët festojnë sonte në ambientet e Pallatit të Kongreseve 23-vjetorin e themelimit të PD-së. Bashkë me demokratët në këtë përvjetor, janë ftuar edhe krerët e partive të tjera parlamentare, përfshi edhe partitë e majta. Burime zyrtare pranë PD-së bënë të ditur për "Gazeta Shqiptare" se ftesë u është dërguar para 6 ditëve kryeministrit, Edi Rama dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Pavarësisht ftesës, Rama nuk do të jetë i pranishëm në festën e demokratëve, për shkak të axhendës së tij zyrtare jashtë shtetit. Rama sot ndodhet në shtetin fqinj Itali, ndërkohë që kreu i LSI-së, Ilir Meta, po sot kthehet nga një vizitë disaditore në Gjermani dhe Francë. Ish-dhjetoristi Ilir Meta, i kontaktuar dje nga "Gazeta Shqiptare", konfirmoi se do të marrë pjesë në festën e PD-së.
"Patjetër që do të shkoj. Gjithnjë kam marrë pjesë në aktivitete të tilla që përkujtojnë ngjarjet e Dhjetorit '90, aq më tepër që prezencën time në aktivitete të tilla ma imponon edhe detyra si kryetar i Kuvendit", – u shpreh kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Kurse nga PS-ja mësohet se do të ketë një përfaqësi deputetësh që do të marrin pjesë në ceremoninë festive në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Prej disa vitesh PD-ja e ka bërë traditë të saj ftesën për të festuar së bashku edhe me krerët e partive të majta, ndërkohë që Ilir Meta ka qenë i pranishëm në ceremoninë e të djathtëve përgjatë katër viteve të qeverisjes me PD-në. Ndërkohë që socialistët, vitet e kaluara janë përfaqësuar në festën e demokratëve me deputetët Arta Dade, Valentina Leskaj dhe Kastriot Islami. Si çdo herë tjetër, demokratët kanë prezentë në festën e tyre edhe partitë aleate, republikanët, legalistët, ballistët, PDIU-në etj. Gjithashtu do të jetë i ftuar edhe trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri dhe krerët e komuniteteve fetare.
Të gjithë të ftuarit do t'i përshëndesë kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, fill pas transmetimit të një dokumentari historik që tregon rrugën përmes së cilës ka kaluar PD-ja përgjatë 23 viteve të saj. Partia Demokratike organizoi më datë 8 dhjetor një koncert në pallatin e sportit "Asllan Rusi", për të festuar 23-vjetorin e themelimit të saj dhe 23-vjetorin e pluralizmit politik në Shqipëri, nën moton "Festojmë lirinë". Në aktivitet ishte i pranishëm kreu i PD-së, Lulzim Basha, shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, dhe ish-kryetari Sali Berisha, të cilët janë pritur me brohoritje nga të pranishmit. Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, banorë të Qytetit Studenti, dolën në protesta paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë. Me lëvizjen u bashkuan pedagogë, akademikë, intelektualë, qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore. Kurse mesnatën e datës 11 dhjetor, duke u gdhirë 12 dhjetori, u themelua Partia Demokratike. Demokratët kanë qeverisur vendin përgjatë 3 mandateve, ndërkohë që këtë përvjetor festojnë si parti opozitare.
/ Gazeta Shqiptare /





