DURRËS, 11 dhjetor 2013 – Teksa kamioni priste radhën për t’u imbarkuar në tragetin “AF Francesca” (ish-“Domiziana” në vitet 1979-2011, prodhim italian i vitit 1978), që nisej ora 23:00 të 10 dhjetorit 2013, në drejtim të portit italian të Barit, rreth tri orë më parë, gjatë kontrollit, iu gjetën 850,56 kg kanabis. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrës-Krujës njofton se në pas mesnatës së 11 dhjetorit 2013, ora 2.00, u arrestua në flagrancë shtetasi Ilir D., 35 vjeç, banues në Tiranë. Në mbrëmjen e ftohtë, rreth orës 20.10 të datës 10 dhjetor 2013, në portin e Durrësit, uniformat blu, teksa po bënin kontroll rutinë në kamionin Benz me targa AA 942 CT, zbuluan një “thesar” me kanabis të fshehur në makinën me drejtues 35-vjeçarin nga Tirana. Ky i fundit po priste radhën në terminalin e trageteve që të hipte më gjithë makinën në mjetin lundrues “AF Francesca”, i cili do të nisej në drejtim të Barit. Këtu do ta prisnin narkotrafikantë rreth orës 8:00 të mëngjesit të 11 dhjetorit 2013, kohë zyrtare e mbërritjes së tragetit (shih hartën me pozicionin e tragetit me vijë të pandërprerë blu, ora 12:00 të mesditës së 11 dhjetorit 2013, në portin e Barit ). Nëse kamioni do t’i shpëtonte edhe policisë italiane, 60 kutitë e kartonit me 722 pako “lazarat” do të shpërndaheshin nëpër skutat e qytetit portual të Apenineve me destinacion veriun. Por kufiri i Durrësit, i cili, me sa duket, ia ka marrë dorën zbulimit të drogës, u hoqi barezëve një “goxha kafshatë nga goja”: 850,56 kg kanabis, që u sekuestruan. Zyrtarisht, me fletë ngarkesë, kamioni do të transportonte çorape. Ata që nisën drogën me “AF Francesca”-n, u treguan të pakujdesshëm për sezonin: në një traget me kapacitet 610 automjete dhe 2 000 udhëtarë, është më e lehtë për kontrollorët të të kapin në flagrancë. Materialet iu përcollën prokurorisë për krimet e rënda në Tiranë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/