DURRËS, 11 dhjetor 2013 – Mjedisi portual, legjislacioni dhe zbatimi i tij ishin temat në qendër të tavolinës së rrumbullakët, që u organizua më 11 dhjetor 2013 nga drejtoria ekzekutive e kompanisë publike “Autoriteti Portual Durrës, sha” (APD), në kuadër të projektit “TEN-Ecoport”, njoftoi zëdhënësja Vilma Hoxha. Drejtues të APD-së, Administratës detare dhe Kapitanerisë, përfaqësues të firmave të pastrimit detar, të kompanive të transportit dhe të terminaleve portuale diskutuan së bashku mbi problematikat mjedisore portuale dhe zgjidhjen e tyre, sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Emanuelë Hysenllari i njohu fillimisht të pranishmit me objektivat themelorë të “TEN Ecoport”-it, që synon të kontribuojë në bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve portuale në zonën e Adriatikut, Jonit dhe Detit të Zi. Rajmondë Gjata e vuri theksin në përqasjen evropiane të legjislacionit mjedisor si dhe në menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane në hapësirën portuale. Ajo bëri të njohur se në fillim të vitit të ardhshëm në Durrës do të zhvillohet një diskutim i zgjeruar për bashkëpunimin dypalësh me portin e Barit (Itali). Zëvendësdrejtori i APD-së, Artjan Qirici, pasi vlerësoi nismën, nënvizoi problematikat konkrete në basenin portual nga prania e dhjetëra motopeshkatoreve, ndotja që ato sjellin, si dhe shqetësimin për përpunimin e mineraleve në sheshet dhe në kalatën lindore. Shqetësime që lidhen me mjedisin detar dhe atë të kalatave solli edhe kapiteni i portit, Admir Sulaj, i cili e quajti sfidë të ardhmen e anijeve të peshkimit, që nuk funksionojnë prej vitesh.

Info

Projekti “TEN Ecoport” përfshin 16 partnerë që mbulojnë dy makro-rajone të rëndësishme: zonën e Adriatikut/Jonit dhe rajonin e Danubit. Ai ka një kohështrirje 2-vjeçare dhe përfundon në gusht të vitit 2014.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/