TIRANE, 11 dhjetor 2013 – Ndërkohë që prokuror ia vijon hetimet për kompaninë amerikane të lobimit “Patton Boggs”, bazuar mbi një kallëzim penal të Partisë Socialiste, kryeministri, Edi Rama zhvillon në zyrën e tij një takim “sekret” me përfaqësuesit e saj kryesorë. Drejtori i investimeve, Thomas Keane, partneri, Stephen Diaz Gavin si edhe këshilltari diplomatik i kompanisë, Miomir Zuzul janë pritur nga shefi i qeverisë dhe zv/kryeministri, Niko Peleshi për të diskutuar mundësitë e angazhimit të kësaj kompanie për llogari të ekzekutivit shqiptar me qëllim thithjen e investimeve të huaja e lobimin në institucionet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyra e shtypit e kryeministrisë nuk i ka bërë publike këto takime dhe as çfarë është diskutuar apo vendosur aty. Por “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dje foto si dhe të mësojë përmbajtjen kryesore të bisedave që përfaqësuesit e “Patton Boggs” kanë zhvilluar gjithashtu edhe me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti, Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Dhomën e Tregtisë dhe të Industrisë në Tiranë, përfaqësues të lartë të opozitës, etj.
TAKIMET
I pranishëm në të gjitha takimet, deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli pohon se “në takimet me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, zv/kryeministrin Niko Peleshi, ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti, me Sekretarin e Përgjithshëm të MPJ-së Qirjako Qirko, etj., përfaqësuesit e ‘Patton Boggs’, diskutuan për zhvillimet ekonomike financiare në Shqipëri dhe angazhimin e ‘Patton Boggs’ për rritjen e pranisë së investimeve të huaja direkte në vendin tonë, si një mundësi e rëndësishme për zhvillimin, rritjen ekonomike, punësimin etj”, – shprehet deputeti socialist.
KËSHILLTARI
Këshilltari diplomatik i kompanisë “Patton Boggs”, Miomir Zuzul, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kroacisë, në të vetmin prononcim të tij në përfundim të këtyre takimeve ka theksuar atë që ai e cilëson si “nevojshmërinë e veprimtarisë paralele të dy tipologjive të aktivitetit diplomatik: përfaqësimit të drejtpërdrejtë qeveritar dhe atij të tërthortë nëpërmjet ndërmjetësimit të strukturave ndërhyrëse (lobuese)”. I ftuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipëtisë në një konferencë me temë “Diplomacia ekonomike dhe roli i saj në periudhën e globalizimit”, Zuzul është shprehur se “është e rëndësishme të kuptohet se komunikimi i drejtpërdrejtë i një përfaqësie zyrtare institucionale nga ana e një shteti, për shembull në SHBA, është tejet e vështirë, kryesisht për shkak të stafit të vogël dhe burokracisë shumë të madhe amerikane që mund të gjendet përballë. Në këtë kuptim, njohja, përvetësimi dhe marrëdhënia e vazhdueshme me grupe lobimi që gjenden në brendësi të kësaj administrate të huaj rezulton kyçe për zhvillime pozitive ndëprmjet dy vendeve”, – ka theksuar përfaqësuesi i “Patton Boggs”. Ky ka qenë dhe prononcimi i vetëm i zyrtarëve të kësaj kompanie lobimi pas takimeve me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar.
KALLËZIMI PENAL
Kompania amerikane e lobimit “Patton Boggs” ka përfituar mbi 3 milionë dollarë nga qeveria “Berisha”. E vënë gjithmonë në shënjestër të akuzave të ashpra të Partisë Socialiste, ndaj saj është depozituar në Prokurori edhe një kallëzim penal “Për mashtrim” nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe lidhur me dështimin e garancisë 85 milion euro të tenderit të privatizimit të “Albpetrol”. Pas depozitimit të këtij kallëzimi në datën 20 shkurt 2013, Braçe shkroi në “Facebook” se “pas tejkalimit të çdo afati ligjor dhe për këtë shkak në shkelje të plotë të ligjit; pas konsumimit të çdo mundësie për tërheqjen e garancisë së ofertës së paraqitur në tender; në kushtet e konsumimit të një turpi kombëtar dhe dëmi të madh ekonomik; vendosa dhe padita në Prokurorinë e Tiranës: Të gjithë zyrtarët e qeverisë së Sali Berishës që u morrën me procesin e privatizimit të Albpetrol; Konsulentin e qeverisë në këtë proces, lobistin e qeverisë, kompaninë “Patton Boggs”; Çdo person tjetër fizik apo juridik që rezulton i përfshirë në këtë krim. I padita për mashtrim, shpërdorim të detyrës me pasojë dëmin ekonomik 85 milion euro”, – shprehej Braçe. Më herë, në datën 30 janar 2013, deputetja e PS-së, Ermonela Felaj do të shprehej mes të tjerash në një konferencë të posaçme shtypi se “kontrata e qeverisë shqiptare me kompaninë e konsulencës dhe lobimit ‘Patton Boggs’ është mbajtur e fshehtë nga qeveria shqiptare që po përdor paratë e popullit për të mbuluar harxhet e fushatës së vet elektorale. Ajo çka del qartë nga ky tjetër skandal i Kryeministrit është se për të mbuluar harxhet e fushatës, Sali Berisha po abuzon sërish me paratë e popullit”, – është shprehur ajo. Por shumë muaj kanë kaluar prej atëhere. Dhe kryeministri Rama duket se ka zgjedhur muajin e ftohtë të Dhjetorit për të shkrirë akujt me “Patton Boggs”.
/Gazeta Shqiptare/





