DURRËS, 10 dhjetor 2013 – Mbillen 1400 fidanë në kampusin e UAMD-së, duke e shndërruar fushën e djerrë të ish-kënetës në një sipërfaqe me pemë të reja Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka hapi më 10 dhjetor 2013, stinën e pyllëzimit në qytetin e Durrësit. Në një nga godinat më të reja të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, pas inspektimit Ministri i Mjedisit mbolli fidanin e parë, duke shënuar kështu simbolikisht hapjen e sezonit të pyllëzimit. Në fjalën e tij ministri Koka u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të mbjellin pemë në çdo sipërfaqe të djerrë, për të kontribuar në të ardhmen e një jete të shëndetshme. Mes të tjerave, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Lefter Koka, që ka shprehur synimin të rikandidojë në vitin 2014, tha:

“Unë ndihem shumë mirë sot që jam në qytetin tim në Durrës dhe gjej rastin të falënderoj rektorin e universitetit për bashkëpunimin. Më vjen mirë që studentët prej sot do të kenë një mjedis të gjelbëruar. Gjej rastin të hap këtë sezon pyllëzimi që përfundon në mars. Ky është vetëm fillimi. Do të vijojmë të shtunën në Lezhë e më pas në Elbasan. Vendi ynë ka një raport shumë të zhdrejtë shfrytëzimi dhe pyllëzimi ndaj është detyra jonë e përbashkët që të ruajmë natyrën. Do të dëshiroja shumë t’i bëja thirrje ndërgjegjes së qytetarëve që të japin kontributin personal duke mbjellë nga një pemë dhe të ndihmojë në ruajtjen e mjedisit”.

Vetëm në mjediset e jashtme të Universitetit po mbillen 1400 fidanë duke e shndërruar fushën e djerrë në një sipërfaqe me pemë të reja. Më pas Ministri i Mjedisit z. Lefter Koka vizitoi universitetin "Aleksandër Moisiu" ku u takua me studentë dhe stafin pedagogjik.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/