10 dhjetor 2013 – Zbardhet raporti i Mjekësisë Ligjore, për aksidentin e Sokol Olldashi, i cili i është dërguar edhe prokurorisë së Tiranës që ka nën hetim ngjarjen. Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë bërë të ditur se, gjatë ekspertizës së të ndjerit, nuk janë gjetur lëndë të huaja në trupin e Olldashit. Ekspertiza mjeko-ligjore është kryer nga dy mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të gjitha veprimet janë regjistruar nga kamera për efekt të provave. Pas aksidentit, nga trupi i Olldashit ishin marrë kampionë me qëllim evidentimin e lëndëve të huaja në trupin e tij dhe nëse kishin ndikuar në shkaktimin e aksidentit mbrëmjen e datës 20 nëntor 2013 që i mori jetën deputetit demokrat. Sipas ekspertëve, mungesa e sinjalistikës, fakti që deputeti nuk kishte vënë rripin e sigurimit, errësira, moti me shi, fushëpamja e kufizuar dhe mosvënia e barrierave të sigurisë janë të tjera shkaqet që sollën vdekjen e babait të dy fëmijëve.
Raporti përfundimtar, i hartuar nga një grup ekspertësh të kërkuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë konstaton se shkaqet kryesore që kanë sjellë aksidentin janë:
– Shpejtësia e automjetit (neni 139 i Kodit Rrugor)
Në momentin e aksidentit, drejtuesi i mjetit po udhëtonte me shpejtësi 45 km/h. Sipas ekspertizës, në bazë të nenin 139 të Kodit Rrugor, më specifikisht, në paragrafin 3 të tij, thuhet se: “Veçanërisht, drejtuesi i mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë në pjesët e rrugës me fushëpamje të kufizuar, në kthesa… në pjerrësi të forta, … në orët e natës, në rastet e fushëpamjes së pamjaftueshme për shkak të kushteve atmosferike ……”. Në kushte atmosferike të rënduara, siç ka qenë në momentin e aksidentit dhe në një kthesë të fortë, siç është konstatuar nga kqyrja e vendit të ngjarjes, automjeti duhet të lëvizte me shpejtësi më pak se 20 km/h.
– Mosrespektimi i sinjalistikës rrugore (neni 144 i Kodit Rrugor)
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se ekziston sinjalistika vertikale, e cila tregon drejtimin e kthesës në të majtë. Megjithatë, sipas ekspertëve, mungon sinjalistika horizontale.
– Përdorimi i rripit të sigurimit (neni 170 i Kodit Rrugor)
Nga këqyrja në vendngjarje dhe nga ekspertiza ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk ka pasur të vendosur rripin e sigurimit.
Raporti i ekspertëve autoteknikë ka nxjerrë edhe një përfundim tjetër mbi gjendjen e pareteve anësorë të rrugës. Sipas materialit zyrtar, dorëzuar ditën e sotme në Prokurorinë e Rrethit
Gjyqësor Tiranë, konstatohet se: “Nga enti pronar i rrugës nuk janë vendosur barrierat e sigurisë në pikat kritike, të cilat rrisin sigurinë e përdoruesve të rrugës në qarkullim”. Lidhur me këtë çështje, grupi i ekspertëve prezanton edhe një këndvështrim teorik, sipas të cilës: “Një barrierë garanton të gjitha performancat, që janë mbajtja e mjeteve të rënda, zbutja e efektit të përplasjes për personat, mjetet e lehta dhe ridrejtim të kontrolluar të mjetit pas përplasjes–duhet gjithashtu të sigurojë një veprim efikas kundërshtues për përmbysjen e mundshme të mjeteve që kanë bariqendrën e lartë (situatë që mund të jetë po aq e rrezikshme aq sa edhe mungesa e mbajtëseve) dhe mundësisht duhet të karakterizohet për të pasur hapësira të limituara pune (gjerësi operative, deformim edhe devijim)”.
Lidhur me rastin konkret, ekspertët autoteknikë shprehin mendimin se “…konstatojmë edhe shkeljen e kërkesave të nenit 14 të Kodit Rrugor nga enti pronar i rrugës”.





