8 dhjetor 2013- PD çeli zyrtarisht fushatën për të zgjedhur drejtuesit e rinj në strukturat e kësaj force politike, në mbarë vendin. Kreu i PD, Lulzim Basha, në përfundim të takimit me krerët e PD në rrethe, tha se kjo është “garë e lirë, e ndershme, demokratike dhe e pastër”, ndërsa akuzoi Qeverinë Rama, për mos mbatje të premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale.
“Sot PD shpall një garë të re, të lirë dhe të ndershme, të pastër dhe demokratike. Kjo garë do nxjerrë në drejtimin e partisë njerëzit më të mirë e më të aftë, demokratët më të respektuar nga anëtarësia. Ne do të udhëheqim partinë për të fituar zgjedhjet vendore dhe zgjedhjet politike më pas.
Ky është një moment i rëndësishëm për PD dhe forumet e saj. Është hera e parë që dalim në opozitë nga zgjedhje të lira të organizuara nga vetë ne. Jemi të vetëdijshëm se nën qeverisjen e PD, në 8 vite Shqipëria njohu zhvillim pozitiv dhe ekonomia nuk ra në recension.
Qeveria Rama do të matet në mënyrë të pashmangshme me bilancin e Qeverisë sonë. Sot ka dalë e qartë në dritë të diellit se Qeveria Rama ka gënjyer dhe mashtruar shqiptarët me premtimet elektorale. Nuk ka dhe nuk do të ketë shërbim shëndetësor falas, ulje të taksave, heqje të TVSH, legalizim falas. Ka vetëm rritje të papunësisë, borxhit, vrasjeve, aksidenteve, pasigurisë së përgjithshme, abuzivizëm e arrogancë”, deklaroi Basha.
“Në ditën e shënuar të Rinisë, ne çelim fushatën për zgjedhjet e reja në parti. PD shpall zgjedhje të re në parti, për çdo person që ndan me ne vizionin politik të lirisë dhe zhvillimit, që dëshirojnë të japin kontributin si anëtarë të PD, për fuqizimin e saj.
Sot shpallim një kuvendim të madh, të lirë dhe të përgjegjshëm të gjithë anëtarësisë të PD për rrugën që kemi bërë deri më këtu, për një fillim të ri, ringritjen dhe fuqizimin e saj. Të mësohemi të dëgjojmë anëtarësinë, të mësojmë të dëgjojmë qytetarët, publikun si premisë për të parë drejt dhe larg. Fuqia jonë matet me atë që na jep elektorati ynë”, tha më tej ai.





