MONIKA KRYEMADHI
Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin… publik, por unë si nënë e tre fëmijëve dua të shpreh dhimbjen e madhe për ndarjen nga jeta të 16-vjeçarit në shkollën “Beqir Çela” në Durrës. Çdo mëngjes shoh me dhjetëra fëmijë që shkojnë në shkollë dhe po aq prindër, gjyshër, familjarë të fëmijëve që nxitojnë të përcjellin dhe të presin në oborret e shkollave gjënë më të shtrenjtë që kanë, fëmijët.
Ndaj, ngjarja e rëndë, tragjedia që ndodhi dje brenda në një shkollë, më ka bërë dhe mua, si Monikë, si nënë, si grua, të reflektoj gjatë e gjerë. Ndërsa kohë më parë, këtu, në këtë sallë, në ambiente akademike, politike apo takime të ndryshme u kërkoja rritje të nivelit të kurrikulave apo standard më të lartë mësimdhënieje, sinqerisht ju them se sot këtë gjë nuk e mendoj më si prioritet.
Siguria në shkolla, siguria e jetës për fëmijët tanë duhet të jetë kryefjala e reformës në arsimin shqiptar. Pasi të kemi siguruar këtë, mund të shohim dhe të punojmë për më shumë cilësi e standarde.
Dhuna nuk ka përkatësi partiake, fëmijët që shkojnë në shkolla dhe rrezikojnë të jenë pjesë e akteve të dhunës janë fëmijët e shqiptarëve dhe pak rëndësi ka nëse kanë votuar për ne, për ju apo nuk kanë votuar fare. Ndaj ju ftoj të bashkohemi në një rrugë të gjatë e të përbashkët kundër dhunës në shkolla. Çdo iniciativë, çdo nismë për t’i bërë shkollat shqiptare më të sigurta, ju siguroj që do të ketë mbështetjen time maksimale dhe angazhimin tim personal. Sot më shumë se kurrë jam e bindur se më mirë një rrugë më pak, por më shumë siguri për fëmijët. Sot më shumë se kurrë do të kërkoja më pak debate, më pak sherre dhe dhunë verbale, që reflektohet nga Parlamenti te të gjithë shqiptarët. Çdo shqiptar ka përgjegjësi për atë që ndodhi dje në një shkollë të Durrësit, çdo polic, mjek apo mësues duhet të jetë sot më i përgjegjshëm për misionin e tij. Ashtu sikundër ne në këtë sallë me atë çka shqiptarët na kanë besuar, duhet të jemi më të bashkuar dhe më të vetëdijshëm për sigurinë e jetës së çdo fëmije që sot është në shkollë. Na duhet një shkollë e sigurt që të kemi një të ardhme të sigurt.
http://www.panorama.com.al/2013/12/06/siguria-ne-shkolla-kryefjala-e-reformes-ne-arsim/





