Tragjedi në ish-NISH Tulla, i papuni me 3 fëmijë nuk shihte dritë në fund të tunelit
DURRËS, 6 dhjetor 2013 – Varfëria e tejskajshme e çon në vetëvrasje me kallashnikovin e siguruar në trazirat e 1997-ës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e 45-vjeçarit Feim Kokomani, rreth orës 7.00 të mëngjesit të 6 dhjetorit 2013, në Shkozet, në zonën e varfanjakëve, ish-NISH Tulla. Burime policore i thanë “Dyrrah”-ut se i ndjeri, prind i tre fëmijëve e ka kryer aktiv e vetëvrasjes në kushtet e dëshpërimit për shkak se ishte i papunë. Nga të dhënat e bluve mësohet se Kokomani, me t’u zgjuar në mëngjes, ka marrë kallashnikovin që ka pasur në banesë pa leje, është futur në tualetin e shtëpisë dhe është vetëvrarë me një plumb në kokë. Ishin familjarët që lajmëruan sallën operative. Nga dëshmitë e dhëna del se shkak i vetëvrasjes janë kushtet e rënda ekonomike dhe papunësia që kishte pllakosur familjen prej pesë anëtarësh. Burimet saktësojnë se nuk ka pasur grindje midis familjarëve, por dyshohet se drejt aktit fatal kryefamiljarin e ka çuar papunësia dhe mungesa e të ardhurave për tre fëmijët e tij, që gjenden në shkollë. Trupi po i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





