6 dhjetor 2013 – Ashtu siç edhe pati paralajmëruar para zgjedhjeve të 23 Qershorit, mazhoranca në pushtet ka nisur aksionin për çlirimin e institucioneve arsimore nga militantët e Partisë Demokratike. Qeveria “Rama”, tre muaj pas konstituimit, ka nisur fshesën në institucionet arsimore, duke shkarkuar drejtorë te shkollave te mesme dhe ato nëntëvjeçare. Sipas burimeve, gjatë dy ditëve të fundit, janë shkarkuar mbi 150 drejtorë shkollash të mesme dhe nëntëvjeçare, me argumentin se janë emëruar në shkelje të nenit 55 të ligjit për arsimin parauniversitar si dhe janë përfshirë në veprimtari politike. Drejtorët e shkarkuar janë skeduar gjatë fushatës elektorale si arkitektët e politizimit të arsimit, ku me urdhër të drejtuesve të PD, ata rreshtuan me dhunë mësues dhe nxënës në mitingjet e Sali Berishës.
Në këtë kuadër, drejtorët e rinj të DAR, që në ditët e para të punës së tyre, kanë nisur shkarkimin e këtyre drejtorëve. Sipas burimeve, shkarkimi është vetëm faza e parë, pasi një pjesë e drejtorëve që kanë shkelur ligjin për arsimin parauniversitar do të shkojnë në prokurori. Ndërkaq, numri i drejtorëve që pritet të largohen shkon mbi 2 mijë në të gjitha shkollat e Republikës së Shqipërisë. Ata kanë shkelur nenin 32 pika 4 të ligjit për sistemin arsimor parauniversitar, i cili parashikon ndalimin e organizimit të veprimtarive partiake në institucionet e sistemit arsimo-parauniversitar. Po ashtu, drejtorët dhe nëndrejtorët janë emëruar në shkelje flagrante të ligjit për sistemin arsimor parauniversitar.
Titullarët e rinj të njësive arsimore vendore përkatëse, pritet të firmosin shkarkimin e drejtorëve, të cilët nuk kanë lidhje me arsimin. Në të gjithë Shqipërinë janë rreth 1500 shkolla 9-vjeçare dhe 380 shkolla të mesme. Kështu, numri i drejtorëve dhe i nëndrejtorëve të shkollave shkon disa mijë. Ndërkaq reforma do të ndërmerret në kuadër të depolitizimit të shkollës dhe ndarjes së saj nga partia e radhës në pushtet.
/sot news /





