TIRANE, 5 dhjetor 2013 – Djali i ish kryeministrit, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha ka reaguar sot pas deklaratave në parlament të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.  Shkëlzen Berisha bën përgjegjës për ekzekutimin e gjimnazistit një ditë më parë në Durrës, dhe thyerjen e burgut te sigurise se larte ne Drenove , ministrin Tahiri, i cili sipas tij, duhet të jepte dorëheqjen. Sipas Berishës, në kushte të tilla, ministri e ka parë të udhës t’u thote njerëzve se fajin për këtë e ka Shkëlzeni.Në reagimin e tij, Shkëlzen Berisha e cilëson Tahirin si një hajdut me imunitet, që sfidon çdo dite shtetin ligjor duke mos paguar detyrimin qe rrjedh nga vendimi i gjykates për të, e cila e ka dënuar me vendim te formes se prere, për të njëjtat shpifje që përsëriti sot në parlament.

“Një ditë pas ekzekutimit të një gjimnazisti të ulur në bankën e shkollës dhe 10 ditë pas thyerjes së burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, ministri përgjegjës për parandalimin e gjëmave të tilla, në kushtet e impotencës morale për të dhënë dorëheqjen dhe shterpësisë profesionale e politike për të dhënë garanci, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, e pa të udhës që prindërve, të afërmve të të ndjerit dhe mbarë opinionit t’u thotë se fajin për këtë e ka Shkëlzeni. Në kushtet kur zhvillohet ky debat me duket e tepërt të them, se ky ministër jo vetëm është i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata për shpifjen që përsëriti sot në parlament, por si një bandit me imunitet, sfidon çdo ditë shtetin ligjor duke mos paguar detyrimin që rrjedh nga vendimi i gjykatës për gënjeshtrën e tij.”- thuhet në deklaratën e Shkëlzen Berishës. 

Më tej Shkëlzen Berisha deklaron se: “Ministrit burracak që e siguron veten me eskorte dhe bodigardë ndërkohë që nxënësit vriten ditën për diell me duhet t’i kujtoj se ndoshta shpifjet e ndihmuan për të mashtruar njerëzit në 23 qershor, por ato nuk vlejnë, për të parandaluar apo justifikuar vrasjet, grabitjet, thyerjet e burgjeve apo ekzekutimet mafioze në mes të Tiranës. Nëse dështimin tënd, kërkon medoemos ta fshehësh apo justifikosh pas atyre që kanë vrarë e plagosur dhe nuk u ka hyrë gjemb në këmbë, ketë do e gjejë të faktuar pa pasur nevojë të shpifësh tek fëmijët e Gramoz Ruçit, Arta Dades dhe kolegëve të tjerë në parlament”. 

Çfarë tha sot në parlament, Saimir Tahiri

“Dhe akoma më keq, kur çuni i babit bënte biznes me demontim armësh, hidhte themelet dhe fshinte nga harta e Shqipërisë një fshat të tërë duke lënë pas 26 viktima. Po s’ka sesi të mos mendonin të rinjtë e këtij vendi se mund të bënin dhe parà shpejt, mund të bënin dhe gangsterin, mund të mbanin dhe armë, mund të bënin dhe krime. Se kur çuni i babit deri dje kryeministër nuk dënohej dhe s’i hynte gjemb në këmbë dhe babi e mbronte mu në mes të parlamentit, po sigurisht të tjerët do të ndjekin këtë model!”