3 dhjetor 2013- Vijon edhe gjatë ditës së sotme greva e urisë e nisur një ditë më parë nga minatorët e zonës D në Bulqizë. Minatorët kaluan natën në një ambient tepër të ngushtë dhe me shumë lagështirë, në temperatura të ulëta, në dhomën e gardërobës në hyrje të minierës.

Minatorët shprehen të vendosur për ta vijuar grevën deri kur të lejohen të rinisin punën. Ndërkohë, në zonën ku po zhvillohet greva e urisë, nuk ka asnjë ambulancë apo mjek që tu qëndrojë pranë minatorëve.

73 minatorët e Bulqizës kanë deklaruar se janë të vendosur që greva e urisë do jetë pa afat. Ata janë shprehur se janë të zhgënjyer nga sindikata në qendër, pasi nuk janë paguar dhe festat e fundvitit po afrohen, ndërkohë që nuk kanë asnjë mundësi ekonomie për të festuar. 73 minatorë të zonës D të Bulqizës e nisën dje grevën e urisë në ambientet e garderobës së minierës, ku u futën me forcë, pasi u ndaluan nga një polici private të nisnin punën.