DURRËS, 2 dhjetor 2013 – Edhe pse kërkohej nga drejtësia nordike e Finlandës si vjedhës, një kosovar u orvat të fshihej në vendlindje, duke kaluar nga Italia në Shqipëri, por blutë e kufirit i kishin në kompjuter të dhënat e tij. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë bëjnë të ditur se policia kufitare e Durrësit arrestoi më 2 dhjetor 2013 në orët e para të ditës një 33-vjeçar nga Prishtina, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Finlanda. Jeton Brahja, 33 vjeç, është ndaluar pas verifikimit të dokumentacionit, në momentin kur mbërriti me traget nga Apeninet. Ishte shpallur në kërkim qysh më 2 shkurt 2012, pasi ishte dënuar me j vit e gjysmë heqje lirie për një vjedhje të rëndë në Finlandë. Ky shtet nordik shquhet në tërë botën për nivelin e ulët të kriminalitetit dhe rasti i kosovarit është gjë e rrallë. Ndaj Brahjes pritet të fillojnë së shpejti procedurat e ekstradimit drejt vendit verior, ku do të kryejë dënimin.

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/