Zbardhet drafti, tatim progresiv me 3 shkallë mbi të ardhurat. Rrogat mbi 100 mijë lekë do paguajnë 20-25 për qind.
Tri shkallët e taksës, përfitojnë rrogat nën 90 mijë lekë.
1 dhjetor 2013- Nga janari 2014, rrogat e më shumë se 430 mijë të punësuarve në Shqipëri do të tatohen me tri nivele të ndryshme. Në vitin 2014, është e sigurt që tatimi i sheshtë 10 për qind mbi pagat nuk do të ekzistojë dhe do të zëvendësohet me një tatim që nis nga 0 për pagat deri në 30 mijë lekë në muaj dhe shkon deri në 25% për pagat mbi 150 mijë lekë në muaj.
Aplikimi i taksës progresive pritet të zbardhet sot në diskutimin me biznesin dhe grupet e interesit, por sipas të dhënave të deritanishme, duket se është në favor të të gjithë atyre që kanë të ardhura deri në 90 mijë lekë në muaj dhe do të penalizojë ata që kanë një pagë më të lartë.
Sipas të dhënave, nga ndryshimi i taksës së sheshtë me atë progresive pritet të përfitojë shumica dërrmuese e të punësuarve dhe të penalizohen rreth 20 mijë individë që kanë paga më të larta se 100 mijë lekë në muaj. Në total, efekti në buxhetin e shtetit do të jetë negativ, me një humbje vjetore prej rreth 8 milionë USD.
Tatimi i ri
Që nga viti 2007, tatimi mbi të ardhurat personale ka qenë 10 për qind. Ligji përjashtonte nga ky tatim pagat minimale, por para fushatës, me konsensus politik, u përjashtuan edhe pagat deri në 30 mijë lekë. Më pas, të gjitha pagat e tjera, nga 30.001 lekë paguanin tatim 10%. Qeveria e re ka vendosur që të aplikojë një tatim me shkallë. Kështu pritet që pagat deri në 30 mijë lekë sërish të mos tatohen, apo ta kenë tatimin 0%.
Pagat deri në 150 mijë lekë do të tatohen me 15%. Por, duke përjashtuar 30 mijë lekët e para që kanë tatim 0%. Pra, në rast se një person ka një pagë prej 50 mijë lekësh në muaj, do të paguajë 0 lekë tatim për 30 mijë lekët e para, dhe 15% tatim për diferencën prej 20 mijë lekësh. Në total, paga e tij nga janari i 2014-s do të tatohet me 3 mijë lekë. …
http://www.panorama.com.al/2013/12/02/nga-1-janari-ulet-tatimi-per-pagat-deri-ne-90-mije-leke/





