Nga Klodianë Haxhiaj*

DURRËS, 28 nëntor 2013 – Lorenc Shota, i njohur me pseudonimin “Terti”, 24 vjeç, banor i fshatit Bilaj, i shumëkërkuar nga policia italiane dhe shqiptare, i akuzuar për dy vepra të rënda penale nga shteti italian “vjedhje me dhunë e armë dhe rrëmbim personi”, për pengmarrjen e biznesmenit italian Andrea Calevo, i ka shpëtuar arrestimit sërish, duke lënë me “gisht në gojë” dhjetëra forca policie që e kishin rrethuar në banesë. Policia është vënë në ndjekje të tij, ndërsa në kontroll të rreptë janë vënë të gjithë të afërmit, telefonat e tyre por edhe miqtë të cilët mund të ndihmojnë me ushqime dhe strehim. Komisariati i Krujës ka nisur kontrolle banesash te të gjithë personat, ku dyshohet se 24-vjeçari do të kërkojë ndihmë.

OPERACIONI

Policia kishte marrë informacione në rrugë operative se 24 vjeçari, i cili i kishte shpëtuar policisë italiane, dhe ishte arratisur nga komisariati i Krujës vetëm 20 minuta pasi ishte arrestuar, lëvizte me një “Audi”, me traga të falsifikuara, dhe qëndronte në banesën e tij në fshatin Bilaj të komunës së Bubqit Krujë (shih hartën dhe foton satelitore). Rreth orës 6 të mëngjesit të 28 nëntorit 2013, dy patrulla të policisë së Krujës dhe inspektorët më të mirë të krimeve të policisë së qarkut kanë behur në fshatin Bilaj. Inspektorët e krimeve rrethuan banesën, ndërsa patrulla e policisë qëndroi 500 metra larg në rrugën lidhëse të fshatit me banesën, duke e mbajtur në mbikëqyrje të shumëkërkuarin. “Nuk mund të binim në sy dhe të futeshim brenda në banesë. Është person me rrezikshmëri të lartë, dhe kemi pritur deri në orën 13 e 15 minuta, që ai të dilte dhe ta arrestonim. Në këtë orë ai hipi në “Audi-n” e tij dhe, sapo pa në distancë makinën e policisë, devijoi rrugën, duke u futur në arë. Me të gjithë shpejtësinë që mund të kishte automjeti, Shota u fut në arë. Pak çaste më vonë makina mbeti në baltë. Patrulla e policisë iu vu mbrapa, dhe po ashtu makina mbeti në baltë. Shota vrapoi, ndërsa oficerët e ndiqnin pas. Doli në rrugën kombëtare dhe aty rastësisht ka kaluar një person, bashkëfshatar i tij, që drejtonte një motor “Papaq”. I arratisuri i ka kërkuar të ndalonte. Bashkëfshatari e ka ndihmuar duke e hipur në motor dhe duke u larguar me shpejtësi drejt Krujës”, pohoi një burim zyrtar. Policia nuk ka mundur të identifikojë as personin që e ndihmoi, sepse ishte me kaskë, duke lënë pas punonjësit e policisë që e ndiqnin me vrap. Motori u largua me shpejtësi drejt Krujës, automjeti i policisë kishte mbetur në baltë, ndërsa i shumëkërkuari i shpëtoi arrestimit. Në ndjekje u vunë sërish uniformat blu, por Shota ishte fshehur, duke i shpëtuar nga duart për herë të dytë uniformave blu,  pohojnë të njëjtat burime.

SFONDI

Më 23 qershor 2013 Shota u arrestua në Tiranë dhe u shoqërua për në komisariatin e Krujës. 20 minuta pas arrestimit ai u arratis nga dritaret e këtij komisariati. Lorenc Shota, kishte kërkuar nga punonjësi i policisë në shërbim që ta dërgonte në tualet. Punonjësi i policisë së rendit i ka hequr prangat para se të futej në tualet, dhe pas kryerjes së shërbimeve fiziologjike, 23-vjeçari gjatë kohës po shoqërohej nga uniforma blu drejt dhomës së izolimit, me forcë ka mundur të largohet nga këto ambiente. Burimet policore bënë me dije se polici është përleshur me 23-vjeçarin, i cili ka qenë mjaft i fuqishëm, pa pranga në duar. Gjatë tentativës për ta kapur, një efektiv i policisë u vetëplagos aksidentalisht.

PENGMARRJA

Lorenc Shota akuzohet nga drejtësia italiane se, së bashku me kushëririn e tij, Emiliano Shota, dhe dy bashkëfshatarët, Simon Halilaj dhe Fabian Vila, morën peng  në 16 dhjetor të 2012, biznesmenin Andrea Calevo. Ata e mbajtën peng për 15 ditë, duke kërkuar si shpërblim tetë milionë euro. Pasi familja e biznesmenit ngurroi të paguante, nënës së tij iu dërgua një letër e shkruar nga vetë pengu 28-vjeçar, ku i shkruante se ishte mirë. Ai i kërkoi së ëmës që të paguante shumën e parave pa thënë asgjë në shtyp apo polici. Biznesmeni u lirua ditën e fundit të vitit, në 31 dhjetor,  falë një operacioni të forcave speciale (në foto pas lirimit). Ai u lirua pa paguar asnjë qindarkë.  Për kryerjen e operacionit dhe identifikimin e pengmarrësve, policia u ndihmua nga Simon Halilaj, i cili  bashkëpunoi duke rrëfyer gjithë ngjarjen. Ndërsa një pjesë e bashkëpunëtorëve u arrestuan menjëherë gjatë operacionit, Emiliano Shota dhe kushëriri i tij, Lorenc Shota, mundën të arratiseshin. Emiljano Shota vendosi që mëngjesin e 26 qershorit 2013 të vetëdorëzohej. Andrea Calevo është drejtuesi i një firme shumë të njohur në La Spezia të Italisë, e specializuar në prodhimin e materialeve të ndërtimit. * Korrespondente për Durrësin e televizionit “News 24” dhe e së përditshmes “Gazeta shqiptare”. Shkrimi i është dërguar “Dyrrah”-ut nga autorja.

PARADOKSET E FOTOVE DHE LISTËS TË TË KËRKUARVE

Policia italiane botoi fotot e 4 nga 6 të pengmarrësve (shih kolazhin e ANSA-s), dy prej të cilëve janë ato të dy shqiptarëve Simon Halilaj dhe Fabian Vila (në foto më vete). Ndërkohë dy të tjerët e arratisur në Shqipëri, kushërinjtë Lorenc dhe Emiliano Shota nuk ishin mundur të fotografoheshin në Apenine. Por shtypi shqiptar siguroi foto të Emilianos (në foto: ulur në tryezë) pas vetëdorëzimit në Shqipëri. Kurse për Lorencin nuk ka foto dhe pse u arrestua më 23 qershor 2013. Jo vetëm kaq, në listën e famshme të 18 nëntorit 2013 të Policisë së Shtetit me emrat e 742 më të kërkuarve, nuk figuron ai i Lorenc Shotës. Nga rrethi i Krujës figuronin vetëm 9 persona, por jo Shota.   

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/