29 nëntor 2013- Pirro Dungu, përgjegjës në sektorin e D.P.A-së, në një intervistë për gazetën“Panorama”, bën përgjegjës drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto, për mosveprim dhe mosmarrjen e masave që do të parandalonin arratisjen. 

Dungu thekson se kreu i Burgjeve, Artur Zoto, jo vetëm ka qenë në dijeni të situatës, por ka pasur një kërkesë të shkruar që drejtori i Burgut të Drenovës i ka bërë me qëllim transferimin e Fran Marashit. 
Ish-përgjegjësi i sektorit DPA në SHKB-në e Burgjeve, Pirro Dungu, tregoi për gazetën “Panorama” në mënyrë kronologjike hetimet që janë kryer për letrën e ardhur nga Policia e Shtetit, e cila paralajmëronte arratisjen. 
“Disa data dhe numra protokolli, por edhe disa emra e të dhëna nuk mund t’jua them, pasi janë të klasifikuara sekret. Unë kam detyrime në raport me këtë fakt, edhe pse më kanë shkarkuar dhe kanë kërkuar ndjekjen time penale”, thekson Dungu.