TIRANE, 29 nentor 2013 – Mesila Dola deklaroi se “Koli u la vetëm dhe u përbalt” ndërsa Igli Cara se “ata që e kanë pragmatizmin mënyrë jetese duhet t’i kërkojnë ndjesë Kolit”. Por, nuk mendon kështu Genc Ruli. Ish-ministri dhe deputeti demokrat e vlerëson lart figurën e Sokol Olldashit  dhe shton se ai nuk u braktis nga PD-ja. 

VLERESIMI 
Ish-ministri Ruli, vlerëson portretin politik të Sokol Olldashit dhe largimin e tij nga jeta e quan një humbje për Partinë Demokratike. Sipas tij, Olldashi la një vakum të madh në PD, ndërsa përmend se ai ishte ndër të paktët që u bë vetë politikan. “Unë do ta ndaj në raportin personal në atë çfarë ka qenë dhe shikimi i Sokolit si individ e si politikan. Sokoli ishte nga ata njerëz që krijonte prezencë. Ka njerëz që i shoh më shumë në vëmendjen e të tjerëve, në të përditshmen e të tjerëve. Kjo për arsye se janë njerëz që gjenerojnë, që kanë vitalitet. Krijojnë impresione, apo pse jo dhe sugjestione më shumë se të tjerët. 

Kështu që këta njerëz kur largohen, sigurisht që dhe vakumi që ata lënë është më i madh se sa i të tjerëve. Sokoli ishte nga ata njerëz. Sa kohë që ai jetonte, jetonte në një rrezatim goxha të fuqishëm në të gjithë ambientin përreth, me atë që kishte më afër, por edhe me ata që kishte më larg. Është vështirë të thotë njeri se nuk e kam njohur Sokolin, pasi edhe nëse nuk e ka pasur rastin ta njohë drejtpërsëdrejti, të shkëmbejë me të një fjalë, të shtrëngojë dorën me të, e ka njohur përmes ekranit”, u shpreh Ruli gjatë emisionit “Prizëm” të gazetarit Aleksandër Furrxhi në “Albanian Screen”. 

Ish-ministri i Bujqësisë shton më tej se ikja para kohe e Sokol Olldashit është një humbje e madhe për PDnë, teksa vlerëson individualitetin e tij dhe iniciativën politike. “Është një humbje e madhe edhe tek njerëzit më të ngushtë, por edhe tek të tjerët, pasi ai komunikonte shumë me ta. Në raport si politikan, Sokoli ishte politikan i gjeneratës së dytë të politikanëve shqiptarë, ndër të paktët që u bë vetë politikan në një proces të mirëfilltë të garimeve politike. Kjo padyshim që ndikoi edhe në dimensionin që ai mori si politikan”, deklaroi Genc Ruli. 

BRAKTISJE? 
Por deputeti i PD-së hedh poshtë pretendimet se Sokol Olldashi u braktis nga PD-ja në projektin e tij për PD-në. “Fjala projekt mund të na çojë në shumë pretendime dhe interpretime. Sigurisht që Sokoli me intuitën politike që i ishte zhvilluar mësë miri, me aftësinë për të kapur momentin dhe për të bërë analizë në moment, ishte njeri që kishte kërkesë. Në rastin konkret ishte kërkesë për një PD, e cila pas 8 viteve qeverisje po kalonte në opozitë dhe ai kishte shikimin e vet se si do ta shihte këtë PD në rifuqizimin e saj, në ridimensionimin e saj në arenën politike, derisa kjo parti të fitonte sërish pushtet. Nuk besoj që Sokoli pati ndonjë braktisje për arsye sepse nuk pati ndonjë luftë në lidhje me projektin A apo projektin B brenda Partisë Demokratike. Sigurisht pati këndvështrime të ndryshme. 

70 ditë pasi je në opozitë, atëherë është një periudhë shumë e shkurtër kohe për të pasur shumë evenimente dhe nga ana tjetër është mirë që pati vërtetë dhe mendime të ndryshme qoftë për atë se si do ta shohim daljen në opozitë, si duhet t’i mendojmë shkaqet që na nxorën në opozitë, gjithmonë në funksion jo thjeshtë të një analize për ta lënë në arkivat politike, por të një analize që na duhet nesër. Sokoli kishte një mendim më individual, një mendim që ndoshta e ndante dhe me të tjerë, por që nuk pati asnjë përleshje për të votuar dhe peshuar se cili mendim do të shkrihet në mendim zyrtar etj. PD-ja është ende në atë proces”, shprehet deputeti Genc Ruli. 

/GazetaShqiptare/