28 nëntor 2013- Ndahen kreditë e para nga fondi i garancive që Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të të rinjve nën 35 vjeç, për të hapur biznese ose zgjeruar aktivitetin e atyre ekzistues. Kryebashkiaku i Tiranës ka firmosur dje si garantues kreditë e para për 7 të rinj, shuma e të cilave shkon deri në 5 milionë lekë. Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha, ideatori i kësaj nisme, e ka konsideruar firmën e hedhur si garantues i këtyre kredive, si me mbresëlënësen në karrierën e tij 8-vjeçare.
“Nuk e fsheh dot se ky është një ndër momentet më të lumtura dhe që më fal më shumë kënaqësi nga qindra, ndoshta mijëra firma që kam hedhur si kryetar i Bashkisë apo si drejtues i lartë publik në qeverisjen qendrore në këto 8 vite”, u shpreh Basha.
Kryebashkiaku bëri të ditur se në fillim të vitit të ardhshëm, shanset e të rinjve për të përfituar kredi do të pesëfishohen. “Fondi i garancive të Bashkisë së Tiranës me këtë bankë ishte një milion euro dhe tashmë po fillojnë efektet me 7 të parat, 50 janë në shqyrtim, shpresoj edhe 150 të tjera të vijnë sa më parë. Brenda shkurtit, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me dy institucione të tjera të njohura financiare, do të hapë një tjetër fond, 5 herë më të madh se sa ky që kemi në operim dhe që uroj që do të pesëfishojë shanset që tashmë ekzistojnë për të rinjtë e Tiranës, për sipërmarrësit e rinj të Tiranës, që të zgjerojnë bizneset ekzistuese apo të nisin bizneset e tyre të reja”, deklaroi Basha.
Nga ana e tij, drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave dhe drejtues i BKT, Seyhan Pencabligil, u bëri thirrje sipërmarrësve të rinj që të aplikojnë për të përfituar nga ky program. Bizneset e hapura nga të rinjtë që kanë përfituar kredi ofrojnë shërbime të ndryshme, si: shpërndarja e detergjenteve në Tiranë, supermarket, faqe shitje online, qendër përkujdesjeje për fëmijët etj.





