28 nëntor 2013- Qindra aktivistë të "Aleancës Kuq e Zi", u tubuan në qendër të Tiranës në 101 vjetorin e Pavarësisë. "Aleanca Kuq e Zi" promovoi galerinë me portretet e “101 Rilindasve të vërtetë”.
Qindra flamurë u vendosën nëpër shtylla në qendër të Tiranës nga aktivistët e "Aleancës Kuq e Zi", si reagim i indiferencës Qeverisë Rama për ditën e flamurit. Gjatë tubimit, kreu i "Aleancës Kuq e Zi", Kreshnik Spahiu, deklaroi para mbështetësve se: “101 vite me shtet dhe pa shtet, me qeveri dhe pa qeveri, me patriotë dhe me tradhëtarë, por sërish komb i ndarë dhe populli më i varfër në Europë. Në një shekull kemi pasur shumë pak udhëheqës dhe ora na mbetet gjithmonë pas. Dhjetra liderë botërorë dërguan sot telegrame urimi, për ti kujtuar atyre që na qeverisin se është 28 Nëntor. Ata e kishin harruar, se nuk ishin më në prag të zgjedhjeve.
Njerëzit nuk mbajnë më flamur në çdo dritare. Sa keq, ndoshta prisnin një urdhër partie! Gjithsesi faji nuk është i popullit, pasi jemi një komb që meritojmë një Shqipëri tjetër dhe një qeveri ndryshe. Ata që na qeverisën kurrë nuk u bënë “Rilindas” dhe Rilindasit kurrë nuk e qeverisën dot Shqipërinë. Rilindasit shitën pasurinë për Shqipërinë, ndërsa “Rilindja Socialiste” vjedh Shqipërinë për shtëpinë. Ne do të kujtojmë veprën e rilindasve dhe do vendosim flamur në çdo rrugë, sepse qeveria nuk e ka festën e saj, por kjo është festa jonë e popullit”, përfundon deklarata për mediat.





