KAPSHTICË, 28 nëntor 3013- Policia doganore greke në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës ka bllokuar sot kalimin e drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore Vjollca Braho. Braho është edhe anëtare e kryesisë së PDIU-së. Sipas informacioneve të fundit pala greke nuk lejon që Braho të futet në teritorin grek.
“Aktualisht ndodhem në pikën kufitare të Kapshticës dhe kam katër orë që nuk më lejojnë të kalojnë krahun tjetër. Ishim 15 veta që prisnim, 14 kaluan dhe ju dha vula për të hyrë në shtetin grek kurse mua nuk më lejojnë. Ju kërkova të më thonë arsyet se përse nuk më lejojnë dhe përgjigjja ishte që mund të kaloj vetëm me urdhër të drejtorit të policisë greke në Athinë. Pa urdhër nga Athina nuk më lejojnë të hyj në shtetin Grek. . Madje u kërkova të më kthejnë edhe pasaportën por nuk ma kanë kthyer akoma. Unë lëviz me pasaportë shërbimi dhe jam me origjinë Çame."- ka deklaruar Braho në një lidhje telefonike për News 24.
Ajo sqaron se me pasaportën që disponon ka udhëtuar në shumë shtete të tjera pa problem dhe vetëm në Greqi nuk është lejuar të hyjë. Sipas Brahos ky nuk është rasti i parë ku anëtarë të PDIU-së pengohen të hyjnë në shtetin helen vetëm se janë me origjinë Çame.
Motivet e këtij ndalimi ende nuk dihen.
Rreth orës 17:30 konsulli Shqiptar në Selanik ka ndërhyrë për të lejuar kalimin e Vjollca Brahos. Pas ndërhyrjes së Konsullit shqiptar Riza Poda, Braho është lejuar të kalojë në territorin grek. Poda ka kontaktuar me policinë kufitare greke për të sqaruar situatën dhe më pas drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore është lejuar të kalojë në Greqi.





