28 nëntor 2013 – Në një prononcim për mediat, kreu i PD, Lulzim Basha, ka përcjellë urimet për 28 Nëntorin, duke e cilësuar si një ditë të shënuar për kombin tonë. Në fjalën e tij, Basha tha se kjo ditë na bën të kujtojmë të gjitha sakrificat e të shërbejë si një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët.
Më tej, Basha shtoi se se kjo ditë shërben dhe për të marrë vendimet e duhura, për ti shërbyer kombit dhe për të lënë mënjanë interesat personale. Kreu i PD, Lulzim Basha, i shoqëruar edhe nga grupi parlamentar demokrat, kanë vendosur kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, si dhe kanë zhvilluar homazhe në nderim të Dëshmorëve të Atdheut.
“Në këtë ditë të shënuar të kombit tonë, 28 Nëntorin, ku ne festojmë ngritjen e flamurit dhe të pavarësisë dhe është detyrimi ynë që ta nisim këtë ditë me krenarinë e thellë para atyre mijëra e mijëra dëshmorëve dhe të rënëve që u flijuan në shekuj për ditën e madhe të pavarësisë, që u flijuan për bashkim kombëtar.
Sot kujtojmë këta martirë veprën e tyre, sakrificën sublime që i shërbyen kombit për të mbetur të pavdekshëm. Kujtojmë babain e pavarësisë, Ismail Qemalin dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij që 101 vjet më parë ia dolën të dështojnë projektet për asgjesimin e popullit shqiptar.
Kujtojmë sakrificën e mijëra dëshmorëve të luftës që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë dhe për rrugëtimin e tyre drejt lirisë dhe demokracisë. Kujtojmë bijtë e shqipes, në Kosovë, Preshevë, Maqedoni, që dhanë jetën për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre”, theksoi Basha.
Nga ana e tij, ish-kryeministri Sali Berisha uroi ditëlindjen e 101 të Pavarësisë, ashtu sikundër uroi edhe ditën e Çlirimit të vendit, duke shtuar se çdo shqiptar duhet të përulet me nderim para qindra mijëra vajzave dhe djemve që u flijuan. Më tej, ai uroi marrjen e statusit të vendit kandidat dhe suksese të mëtejshme në procesin e integrimit.
“Sot është ditëlindja e 101 e Shqipërisë, festa e flamurit dhe e çlirimit të vendit, është dita ku çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh para qindra e mijëra vajzave e djemve që flijuan veten për pavarësinë. Është dita në të cilët ne nderojmë Ismail Bej Vlorën, etërit e pavarësisë, që në kushtet mbinjerëzore ia dolën të shpallin pavarësinë e Shqipërisë. Le të shprehim nderimin më të madh për familjet e të rënëve, t’i urojmë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, dhe sukses të mëtejshëm në proceset e integrimit”, tha Berisha.





