GREQI, 28 nentor 2013 – Mori fund sot arratia e 7 të dënuarve të burgut të Drenovës. Pas pesë ditësh kërkime intensive në kufirin shqiptaro-grek, policia greke ka arrestuar sot edhe të arratisurit e fundit nga burgu i Drenovës, Eduard Lulon dhe Reis Haxhirajn. I dënuari Lulo u gjet në të njëjtën zonë ku u kap mbrëmë Gëzim Toma, ndërsa Reis Haxhiraj, u arrestua në malet e Kosturit në Greqi. Edhe i arratisuri i fundit, Reis Haxhiraj u kap vetëm pak kilometra ku u kapën Gëzim Toma e Eduard Lulo, i cili sipas informacioneve të policisë nuk ka bërë rezistencë në momentin e arrestimit. 

Policia e Shtetit jep detajet e arrestimit 

Pas një ndjekje të vazhdueshme dhe mjaft profesionale të forcave të Policisë së Shtetit, informacioneve të sakta të marra mbi lëvizjen e tyre dhe në sajë të bashkëpunimit të shkëlqyer me Policinë Greke, u bë e mundur kapja në territorin  grek, e 3 personave të arratisur nga Burgu i Drenovës, më datë 23 nëntor, përkatësisht:

1.      Gëzim Ndue Toma,

2.      Reiz Namik Haxhiraj,

3.      Eduard Kujtim Lula,

Prej 5 ditësh, forcat e specializuara të Policisë së Shtetit i ndoqën pa ndërprerje këta shtetas, gjatë gjithë itenerarit të lëvizjes së tyre në malin e Gramozit, me gjithë kushtet e vështira të motit.Në këtë operacion të gjerë u përfshinë forcat speciale RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin e Migracionin, Korçë.Njëherazi u kontaktuan autoritetet policore greke, duke u dhënë informacione të sakta mbi lëvizjen e tyre, të cilat përforcuan shërbimet për të mundësuar kapjen e të arratisurve.Në vijimësi janë ushtruar kontrolle gjatë të dy anëve të kufirit, si nga Policia shqiptare ashtu dhe nga Policia greke me qëllim kapjen e të arratisurve. Po ashtu është shkëmbyer informacion i vazhdueshëm rreth lëvizjes së tyre.Në sajë të këtyre masave u bë e mundur kapja e të arratisurve nga forcat policore greke në brendësi të territorit grek.I arratisuri Gëzim Toma u arrestua gjatë aksionit të djeshëm të policisë greke ndërmjet fshatit Eptahor dhe Krisi, ku ka pasur shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe tre të arratisurve, ndërsa dy të tjerët kanë arritur t’i shpëtojnë policisë greke. Gjatë natës, vijuan kërkimet për Reiz Haxhirajn dhe Eduard Lulon, duke mundësuar kapjen e tyre mëngjesin e sotëm.Këta shtetas do t’i nënshtrohen procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë, ku do të vuajnë dënimin për krimet për të cilat janë deklaruar fajtor nga organet e drejtësisë.Interpol Tirana në një kohë shumë të shpejtë ka bërë shpalljen në kërkim ndërkombëtar të të arratisurve.Me arrestimin e tyre,  tashmë është bërë e mundur kapja e 7 të arratisurve nga Burgu i Drenovës.

Gjejmë rastin të falenderojmë komunitetin për bashkëpunimin, strukturat homologe greke për angazhimin maksimal e bashkëpunimin e shkëlqyer, si dhe çdo punonjës policie, për gatishmërinë e lartë, angazhimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar, duke mundësuar kapjen brenda një harku të shkurtër kohor të 7 të arratisurve nga Burgu i Drenovës, të cilët ishin deklaruar fajtor për krime të rënda.

RAMA PERGEZON POLICINE

Kryeministri Edi Rama ka dhënë i pari lajmin e arrestimit të të arratisurit të fundit. Me një postim në "Facebook", Rama njoftoi dhe arrestimin e të fundit të të arratisurve. 
"U krye! Përgëzime Saimir Tahirit e Policisë së Shtetit që në më pak se 7 ditë rikthyen prapa hekurave të 7 kriminelet e arratisur nga burgu. Faleminderit çdo polici të perfshire ne kete operacion special e posacerisht forcave te Reneas! Policia jone po kthehet ne krye te detyres". 

"I shkelqyer dhe bashkerendimi dite-nate me policine greke per 3 te arratisurit e fundit. Eshte veç fillimi i mbare drejt fitores mbi krimin", shkruan me tej Rama ne "Facebook".