TIRANË, 22 nëntor 2013 – Haki Sallufi pronari i një lokali pranë vendit ku ndodhi aksidenti i deputetit Sokol Olldashi në një intervistë për “News 24” tregon se në automjetin e deputetit nuk kishte person të dytë veç tij. “Dua të them një të vërtetë për t’i dhënë fund spekulimeve. Në makinë ishte vetëm Sokol Olldashi.”- ka deklaruar dëshmitari.
Haki Sallufi pohon se është dëshmitar i ngjarjes pasi ai ka parë gjithë aksidentin se si ka ndodhur. “Isha para lokalit kur kaloi makina e deputetit Sokol Olldashi. Ai më përshëndeti kur më pa pasi vinte shpesh te lokali im. Ndoqa makinën me sy dhe e pashë kur doli nga rruga. Pashë edhe kur përfundoi disa metra më poshtë. Unë dhe roja menjëherë shkuam për ti ardhur në ndihmë por ishte e pa mundur të ndërhyje pasi makina ishte kthyer përmbys. Në vendngjarje u mblodhën edhe njerëz të tjerë.”- ka rrëfyer dëshmitari. 
Sallufi vijon më tej dëshminë duke thënë se pak minuta më vonë erdhën forcat e policisë. Sipas tij në momentin që erdhi policia dëshmitarët e tjerë u larguan nga vendi i ngjarjes dhe filloi aksioni për të nxjerrë trupin nga makina.
 Ai rrëfen se kur i është afruar makinës së përmbysur deputeti Olldashi ka qënë në momentet e fundit të jetës. Në fund të intervistës dëshmitari Haki Sallufi deklaron se deputeti Olldashi ka qenë vetëm në makinë.