Tiranë, 21 nëntor 2013 – I dashur Sokol, lajmi i zi për aksidentin tragjik përmbyti me dhimbje, pikëllim dhe zi të madhe, zemrat, shpirtrat, e bashkëshortes, djemve, prindërve, miqve, të afërmve tuaj por dhe të demokratëve dhe demokratëve dhe mbarë shqiptarëve. I rritur në kampet e punës të regjimit barbar, si enfant prodige i vuajtjes, sakrificës, kurajës dhe qëndresës njerëzore, Sokol Olldashi me guximin, mençurinë, shpirtin e tij të pamposhtur, do të hynte në lëvizjen demokratike të viteve 90 dhe do të shkëlqente si njeri prej yjeve më të shndritshme të saj. Bashkëshortja, djemtë, prindërit, miqtë, të afërmit e tu humbën mbrëmë njeriun e tyre më të dashur, Partia Demokratike, demokratët dhe mbarë shqiptarët humbën njërin prej drejtuesve, personaliteteve më të vendosur dhe më të shquar të këtyre dy dekadave, humbën njërin prej politikanëve më të talentuar, qeveritarëve tanë më të aftë .

Parlamenti shqiptar humbi oratorin me llogjikë të kristalte, ligjbërësin e zotë, avokatin e zjarrtë të qytetarëve dhe interesit të tyre. Publicistika, studiot, arenat e debateve nuk do të kenë me yllin e tyre të papërsëritshëm. Kurse unë nuk do të kem më jo vetëm një mik të çmuar por dhe njërin prej bashkëpunëtoreve më të afërt, më të aftë, më të guximshëm të jetës sime politike. I dashur Sokol, sot dhimbja në zemrat tona është më e rëndë se guri, zija më e zezë se nata, më e zezë se ajo kthesa që të zuri pritë dhe vitin e dytë të rinisë së burrit të çoi tinëzisht miku ynë i dashur në banesën e përjetësisë. Ora që unë po shkruaj këto pak fjalë ka kaluar katër e mëngjesit dhe te them te vërtetën sytë ne ndonjë çast dhe me njomen dhe lëpihen dhe ne ndonjë fjalë gërmat edhe më zbehën, por unë të siguroj se këto janë vetëm çaste.

Ne nuk mund vajtojmë dhe kurrë nuk do të vajtojmë për ty. Ti je dhe do mbetesh përjetë i gjallë midis nesh. Ti jeton në krenarinë, në frymëzimin, vizionin, guximin tonë. Ti jeton në zemrat e të rinjve që ngrije peshë, në shkrimet e tua perla të publicistikes sonë, në fjalimet, debatet, batutat e tua të papërsëritshme, jeton në vepra që kanë ndryshuar këtë vend përgjithmonë. Miku unë, ne me kitarën tende, tingujt e saj melodioze gjithnjë do këndojmë dhe festojmë se bashku ty, veprën tuaj te pavdekshme, veprën tone. Po Koli, prehu i qete ,me dëshirën e Zotit ne paqen e merituar. Lamtumire mik i dashur, lamtumire Sokol, ti përjetë je midis nesh. I lehte qofte mbi ty, dheu i tokës sonë", shkruan Berisha në Facebook.