DURRËS, 14 nëntor 2013 – 14 nëntori njihet si dita e çlirimit të Durrësit. Forcat partizane të Brigadës XII Sulmuese, në bashkëpunim me forcat e Brigadës XI Sulmuese, më 14 nëntor 1944, çliruan qytetin e Durrësit nga pushtuesit e huaj. Por për çlirimin nuk është zbrazur asnjë pushkë, pasi gjermanët u larguan dhe në tërheqje e sipër hodhën në erë pjesë të infrastrukturës.

“Shëtitje në port”

Rreth orës 4.30-5.00 të 14 nëntorit 1944 forcat partizane të komandës së vendit të nënprefekturës së Durrësit arritën në hyrje të qytetit. Midis tyre kishte edhe durrsakë që ktheheshin pas një viti në qytetin e tyre që kur më 30 nëntor 1943 komandatura gjermane urdhëroi me forcë boshatisjen e qytetit, si rrjedhojë qyteti u kthye i pajetë. Kishte vetëm ushtri gjermane e ndonjë shqiptar që jetonte me leje speciale nga garnizoni gjerman. Si rezultat i operacionit të koduar “Shëtitje në port”, banorët e tij u detyruan të lënë qytetin më 23 nëntor të vitit 1943, për t’u rikthyer vetëm në 14 nëntor të vitit 1944. Evakuimi ka përfshirë rreth 8 mijë persona për t’u strehuar në miq e të afërm në rrethinat e qytetit ose në qytete të tjera. Në pasditen e 14 nëntorit 1944  rreth orës 16.00 hynë në Durrës edhe forcat e brigadës së XII-të Sulmuese.

Çminimi

Më 15 nëntor në mëngjes 2 partizanë të komandës së vendit panë në dritaren e prapme të godinës ku sot është biblioteka e qytetit dy ushtarë gjermanë, mbasi e diskutuan atyre iu bë thirrje për dorëzim në gjermanisht. U dorëzuan menjëherë me gjithë armatimin që dispononin. Nga këta 2 djem rreth të tridhjetave të mërzitur nga lufta, xhenier (minator) u mësua se qyteti ishte i minuar. Në fabrika kishin vendosur  mina, plasja e tyre do të bëhej menjëherë me ndezjen e motorëve dhe makinerive të tjera, në ndërtesa me kate, në kanalet e qytetit. Këta gjermanë ofruan ndihmën e tyre dhe punuan me ndërgjegje për çmontimin e minave, ndihmuan në heqjen e minave në plazhin e Durrësit deri sa dhanë dhe jetën e tyre gjate çmontimit të tyre. Më 15 nëntor 1944 rreth orës 16.00 u organizua një miting (shih foton historike), ku u brohorit nga pjesëmarrësit. Pas mitingut u manifestua nëpër rrugët e qytetit deri në orët e vona.

Pas 69 vjetësh

Bashkia e Durrësit ka organizuar më 14 nëntor 2013 një takim solemn në sallën e mbledhjeve të këshillit bashkiak (në foto). Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe prefekti i qarkut Roland Xhelilaj kryetari i këshillit të qarkut Alfred Mullaraj, kryetari i këshillit bashkiak të Durrësit Alban Ramohitaj, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve, që dhanë jetën për liri, etj. Ceremonia është çelur me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe më pas e ka marrë fjalën kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili deklaroi se do të kujtojmë gjithmonë me respekt të gjithë ata që e deshën qytetin aq shumë sa sakrifikuan edhe jetën e tyre për të. Midis të tjerash kryebashkiaku Dako u shpreh: “Durrësi u gjend në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, sepse pikërisht në këtë qytet, me 7 prill [1939], nisi të shkruhej me gjak historia lavdishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare… Në këtë mënyrë, Durrësi u bë një nder qytetet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje… As vrasjet apo masakrimet, burgosjet apo internimet nuk e gjymtuan dot shpirtin liridashës të popullit të këtij qyteti, që u kthye në simbol të qëndresës dhe luftës ndaj nazifashizmit. Sot, pas 69 vjetësh në jemi krenarë të përkujtojmë ditën historike të 14 nëntorit dhe të shprehim respektin dhe mirënjohjen për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë për të sakrifikuar deri dhe jetët e tyre për lirinë e vendit.” Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës, të cilët sollën kujtimet e tyre nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe nga dita e çlirimit të Durrësit.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/