Tiranë, 13 nëntor 2013- Është hapur sot në kryeqytet panairi i 16-të i librit, i cili ka më pak botime se një vit më parë, mbi 1800 tituj të rinj, më me pak shtëpi botuese pjesëmarrëse. Petrit Ymeri është shprehur se botimet në vend janë në gjendje emergjente, shitjet e librave kanë rënë me 30%, po mbyllen libraritë e po mungojnë politikat e reja për të mbështetur librit.

Në hapjen e këtij panairi, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha se do ketë një tryezë të posaçme me qëllim për të luftuar piraterinë në vend. “Ministria e Kulturës mbështet në këtë panair mendimin krijues: çmimet letrare, mendimin e jurisë, debatet dhe promovimin e ideve dhe të leximit. Sepse ky do  të jetë një ndër objektivat tanë kryesorë. Faleminderit Zoti Ymeri për sugjerimet që i marrim me  po aq vëmendje sa dhe ato të krijuesve dhe të lexuesve dhe nuk dua të kthej këtë mikrofon në podium të programit politik të Ministrisë së Kulturës sepse kjo është skena e librit dhe e krijuesve të tij, por do të shpreh publikisht angazhimin për një tryezë të posaçme të parashikuar për librin si kulturë dhe jo thjeshtë si mall. Dhe po këtë vëmendje e kemi edhe ndaj piraterisë e pronësisë intelektuale për të cilën Ministria e Kulturës sa po ka ndërmarrë një kantier të parashikuar duke pasur parasysh nenin 73 te MSA-s, pronësia intelektuale, industriale dhe tregtare” ka thënë Kumbaro.

Ndërsa Ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi ka thënë se pothuaj dy muaj më parë Komisioni Europian shpalli fituesit e çmimit të Letërsisë së Bashkimit Evropian për vitin 2013 në Suedi.  Ky çmim sipas Sequi është një aktivitet shumë i rëndësishëm, sepse tërheq vëmendjen mbi autorët e rinj pak të njohur. “E përmend këtë sepse do të doja të inkurajoja edhe autorët shqiptarë të marrin pjesë dhe të aplikojnë për këtë çmim sepse p.sh. sivjet fituesit kanë qenë nga Bosnje Hercegovina dhe nga Maqedonia. Pse mos të ketë fitues edhe nga Shqipëria. Edhe këtë vit në Progres Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2013 për Shqipërinë u theksua shqetësimi se duhen bërë hapa të mëtejshëm edhe më të mëdha për të siguruar “zbatimin efikas të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe industriale. Në këtë sallë kemi ekspertë që vijnë nga Bashkimi Evropian me një mision disa ditor në Shqiopëri, ekspertë që merren pikërisht me fushën e të drejtës së autorit, pra pronësinë intelektuale dhe industriale. Gjatë kësaj jave ata do të bëjnë një vlerësim të legjislacionit shqiptar të kësaj fushe por edhe të zbatimit të tij. Në fund ata do të japin edhe rekomandimet përkatëse”, tha Sequi.

Kurse ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu e ka cilësuar krim që duhet ndërshkuar vjedhjen e të drejtës së autorit. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se vjedhja e pronësisë intelektuale nuk është problem vetëm për Shqipërinë. “Dua të flas për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Është me të vërtetë problem jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë botën. Ajo që ndodh me dhunimin e pronësisë intelektuale është në fakt vjedhja. Është krim, i privon njerëzit nga ajo që është e drejta e tyre, nga e drejta e autorit. Është gjithashtu inkurajuese që kjo qeveri është e angazhuar që të luftojë krimin në forma të ndryshme.”- deklaroi Arvizu. Ai theksoi vlerën e përkthimit i cili mundëson leximin në gjuhë të ndryshme i veprave të ndryshme. Ai shpjegoi se Ambasada Amerikane ka ndërtuar tre kënde në Tiranë , Vlorë dhe Kukës ku ofron libra dhe internet falas.