DURRËS, 13 nëntor 2013 – Disiplinimi i trafikut në arteriet rrugore të qarkut po shoqërohet me kontrolle të forta dhe masa të ashpra sikurse janë arrestimet, gjobat dhe bllokimet e veturave, kështu uniformat blu po u tregojnë “dhëmbët” kundërvajtësve. Drejtoria e policsë së shtetit për qarkun e Durrësit bën të ditur se më 12 nëntor 2013 ka arrestuar D. Xh., 18 vjeç, banues në Nikël Krujë, sepse rreth orës 13.00 është kapur duke drejtuar një Golf 3, pa qenë i pajisur me leje drejtimi dhe dokumentacionin përkatës. Kurse 42-vjeçari K. K. në Durrës u vu në pranga, sepse u kap në orën 9.00, në lagjen 15 Durrës, teksa po drejtonte Renault-në me targa DE7864 i bërë “tapë” dhe i papajisur me dëshmi. Përveç procedimeve penale, gjatë kontrolleve janë vërejtur edhe një sërë shkeljesh administrative, për të cilat janë gjobitur 150 kundrërvajtës. Për mungesa në dokumentacionin e mjeteve janë bllokuar administrativisht 3 autovetura, për të cilat do të shprehet komisioni i shqyrtimit të kundërvajtjeve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/