11 nëntor 2013- Marrëdhënia e veçantë midis nuses dhe vjehrrës mbetet  një nga temat më të diskutuara sociale, aq sa është bërë dhe objekt komedish, anedotash, përrallash etj. Shakatë lidhur me këtë argument kanë filluar që në Romën e lashtë: Satira VI nga Juvenali thotë që “Askush nuk mund të jetë i lumtur deri sa vjehrra të jetë gjallë”. Bartolomeo nga Konkordia (1262-1347), prift dhe shkrimtar e përkufizon vjehhrën si “grua që do të komandojë”. Në kinematografinë amerikane, regjisorë të ndryshëm kanë krijuar stereotipe të vjehrrës si Viola Fields (Jane Fonda), vjehrra-përbindësh e Jennifer Lopez, apo Adele Delfino (Celia Weston) tek “Shtëpiaket e dëshpëruara”.

Gjithashtu po t’i referohemi mitologjisë shqiptare do të gjejmë legjenda të ndryshmë që gjithnjë qendërzojnë këtë lidhje. Legjenda e Lules Sapun-Qyqe (Saponaria officinalis): Një nuse mbahej pis, nuk lahej dhe atëherë vjehrra e mallkon dhe ajo bëhet qyqe, ndërsa sapuni me të cilin ajo nuk lahej, u bë lule.

Kënga legjendare "Djali gjarpër" mbledhur ne Bregun e Matës.

Në këtë këngë të bukur e të rrallë legjendare tregohet për një grua që pas nëntë vjet martese, lind një fëmijë gjarpër. Kur rritet, djali gjarpër kërkon të martohet me të bijën e mbretit. Pas martesës, e ëma habitet se si nusja është e kënaqur me një gjarpër që, siç thotë ajo, "e kam mnerë un çi e kam djalë"! Nusja i tregon se natën ai e hiqte këmishën e gjarprit dhe paraqitej si një djalë i pashëm. Nëna përgjon një natë dhe ia djeg këmishën. Djali vdes: "Shpirtin, nanë, mua ma ke marrë!/Kmishën n'zjarm ç'ma ke djegë ?/Edhe gjasht vjet nanë ti me pa pritë, /un vetë kmishën nanë e kisha hjekë". Kuptimi i legjendës në vështrim të parë të duket se kemi të bëjmë me konfliktin që has lindja e një familjeje të re në gjirin e një familjeje tjetër dhe kështu, për nusen djali është një dhëndër i bukur, i mirë, kurse për nënën një -gjarpër!

Mbi përpjekjet për konsolidimin e familjes se re, na flet edhe kënga legjendare arbëreshe "Parasten kontesha Kontë" (i thotë Kontesha Kontit). Konti nuk i bindet këshillës së nënës Konteshë që të mos gjuajë në malin e Kuçedres, mbasi mund ta pësonte, por i nxitur nga nusja,  ai shkon pikërisht në malin e Kuçedrës për të gjuajtur.
Doemos Kuçedra e zë dhe kërkon ta hajë, por Konti i lutet që ta lërë sa të shkojë tek e ëma t'i kërkojë uratën. Dhe kështu ndodh vërtet, por nusja i del në krah dhe i thotë se do të shkonte edhe ajo bashkë me të, tek Kuçedra! Dhe nusja trime e lidh Kuçedrën që mahnitet nga forca e saj dhe i thotë: Çë gjëri më je ti vajzë ? "Jam e bija e hënës, /kam për babë diellin, /vetë jam vetim' e qiejve, /që bie maleve, /maleve e fushave/mbi kreninë e ligësinë".

Dashuria për nënën dhe dashuria për gruan ndryshojnë nga njëra –tjetra;  dashuri që ndryshojnë në formë, pasi secila ka specifikat e veta.  Të dyja harrojnë se jo rrallëherë meshkujt vuajnë nga raporti jomiqësor mes tyre. Ambiguiteti i rolit të tij, si djalë dhe si bashkëshort është faktor determinant që thotë fjalën e fundit në harmoninë e familjes. Nëse ai shfaqet i njëanshëm dhe i mungon simetria, ekuilibri prishet dhe situata degradon në shkallë të ndryshme. Kjo e fundit varet nga niveli social-kulturor i personave.

Ankesat dhe komentet për vjehrrat e nuset s’kanë të mbaruar, a thua se janë armike të betuara; vjehrra ngatërrestare, imponuese, burra që komandohen si marioneta, nuse që s’u zë dora asgjë, mosmirënjohëse,mospërfillëse, që s’njohin respektin e shumë të tjera; shumica pa asnjë argument të vlefshëm apo fakte konkrete. Le të pranojmë për një moment se vjehrrat “fusin hundët” kudo, janë xheloze, nuk u lënë hapësira nuseve e të tjera, e të tjera. Unë ngre një pyetje: Duhet të vazhdojë kjo luftë e pambarimtë, e cila të konflikton me partnerin, përkeqëson situatat dhe shkakton gjendje të pakëndshme për të gjithë?! Apo  nuset  janë qeniet më perfekte në botë?! A ia vlen të zemërohesh çdo ditë me vjehrrën thjesht për faktin se nuk e duron dot?! Është një person që s’mund ta injorosh kurrë sepse është nëna e partnerit, një bashkëudhëtare e momenteve të rëndësishme familjare. Mendoj se në qoftë se do të shohin me sinqeritet brenda vetes, dhe nuset do të kuptojnë se janë njëlloj xheloze si vjehrrat, për të mos thënë edhe më tepër. Janë ato që i paragjykojnë vjehrrat, madje dhe i përbuzin, duke ngritur nga ana tjetër në piedestal, nënat e tyre. Nuk e di, pse gjuha e pasur shqipe nuk zgjodhi një tjetër fjalë për të emërtuar nënën e burrit, p.sh. siç e hasim në frëngjisht belle mere(nënë e bukur), mother in law (nënë me ligj) në anglisht etj. Ne themi vjehrrë “me u zënë” nga shqipja e vjetër. Unë nuk e mohoj se zonjat vjehrra kanë të meta, por mohoj idenë se vetëm ato kanë të meta. Të gjithë pa përjashtim kanë, përfshirë dhe nuset. E nisur nga ky limit mirësie të vendosur nga Zoti e natyra njerëzore duhet që gjërat të shihen në një këndvështrim të ri. Me pak përzemërsi, çdo nuse do të gjente një aleate perfekte tek vjehrra e saj. Rruga e mirëkuptimit dhe e komunikimit është mënyra e vetme për të realizuar një raport të ngrohtë. Të zbrazim kokën nga paragjykimet dhe të flasim hapur e me zemër. Të dyja luftojnë për të njëjtin qëllim: të bëjnë sa më shumë për vete djalin ose burrin. Një betejë e kotë, sepse derivon nga dashuria dhe kujdesi për familjen e re dhe mirërritjen e të sapoardhurve në jetë. Vetëm pak bashkëpunim dhe  tolerancë do të sillte benefite  dhe qetësi shpirtërore për të dyja palët. Sepse vjehrra është gruaja, nëna që rriti dhe edukoi burrin me të cilin ti u dashurove  dhe vendose  të kalosh jetën. Nesër,  vjehrra do të jesh ti !

  Gladiola   BUSULLA