DURRËS, 10 nëntor 2011 – Edhe pse Artur Korriku, raportuesi për të përditshmen prestigjioze “Shqiptarja.com” si dhe të tjerë kolegë të tij, ishte i pranishëm në mbledhjen e 8 nëntorit 2013 për zgjedhjen e kryetarit të këshillit të qarkut të Durrësit, në versionin on-line, ka deformuar të vërtetën e debatit prej 5 orësh. Nuk dihet nëse formulimi i mëposhtëm është i raportuesit të Durrësit, apo i lajm-shkruesit në redaksinë e Tiranës: “Këshilli i Qarkut të Durrësit është përfshirë nga debate për shitjen e votës gjatë procesit për zgjedhjen e kryetarit të ri”. Në të vërtet, deputeti Eduart Halimi, që nuk kishte të drejtë të hapte gojën, u lejua të flasë pa doganë, por në mbledhje asnjëherë nuk deklaroi ato që tha pas votimit.

Loja e nervave

Jo vetëm kaq, raportuesi / lajm-shkruesi në redaksi kanë gabuar për cilësimin e pranisë së Halimit (por edhe të deputetëve Igli Cara, Gent Strazimiri, Blend Klosi, Klodiana Spahiu, Gentian Bejko) me statusin e “vëzhguesit”, pasi nuk figuron ky term në legjislacionin administrativ. Deputetët, gazetarët apo qytetarë të thjeshtë janë të pranishëm si dëgjues në mbledhjet, detyrimisht, të hapura. Pra, deklarimi i Halimit se “të majtët, se ashtu si në Korçë korruptuan edhe këshilltarët e Këshillit Bashkiak të qytetit të Durrësit”, nuk u bë në mbledhje, por pas votimit, në shkallët e ndërtesës së prefekturës dhe këshillit të qarkut. Gjatë gjithë mbledhjes Halimi ka bërë ndërhyrje për të mbajtur të bashkuar grupin e djathtë. Ishte një lojë nervash për çështje procedurash midis kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako dhe deputetit Eduart Halimi e nënkryetarit të këshillit të qarkut Klodian Merlika të PD-së, siç ka shkruar “Dyrrah”-u. Lajmin e zgjeruar (shih http://durreslajm.com/politike/durres-e-majta-merr-kreun-e-qarkut-pd-na-i-blene-tanet) gazetari i mirënjohur durrsak i “Shekullit” Mark Brunga, i pranishëm në mbledhje dhe autor i disa fotove, e ka parë të arsyeshme ta ribotojë të plotë, jo me emrin e tij, por me burim “Dyrrah”-un (shih http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=34282&kat=88).

Marrëdhënie të ndërlikuara me PD-në

Korriku ka pasur dhe ka marrëdhënie të ndërlikuara me PD-në e Durrësit. Ka qenë anëtar i saj në vitet 1991-1996, qysh se dorëzoi teserën e PPSH-së në Kavajë dhe mori pjesë aktive në krijimin e opozitës së atëhershme, ndikoi në reformat që u bënë në ushtri si oficer. Por padrejtësisht klane në PD e hoqën nga puna në ish-këshillin e rrethit. Me ndërhyrjen e ish-kryeredaktorit të gazetës “Adriatiku”, filloi punën si raportues i “Gazetës shqiptare”. Qysh atëherë u afrua me kryetarin e PS-së Gazmir Bizhga. Meqë raportuesi i “Zërit të popullit” nuk pranoi ofertën e ish-kryetarit në majtë të Këshillit të Qarkut Genc Alizoti, ky i fundit, si zëdhënës të tij, emëroi Korrikun. E mbajti në punë dhe pasardhësi i Alizotit, demokrati Seid Kërtusha, me gjithë presionin e degës së PD-së për ta hequr. Por mos-rizgjedhja për herë të dytë e Kërtushës bëri që kryetarja e përkohshme e Këshillit të Qarkut Eglantina Begteshi ta pushojë. Prandaj ishte i pranishëm në mbledhjen e fundit të Këshillit të Qarkut edhe me shpresën se do të fitonte përfaqësuesi i PS-së. Në pushimin gjatë votimit Vangjush Dako u pohoi dy gazetarëve se Artur Korriku e kishte pyetur Dakon nëse PS-ja do të zbatonte vendimin e gjykatës së Durrësit për rikthimin e tij si zëdhënës në Këshillin e Qarkut. Parë në këtë aspekt, kolegut nuk i interesonte të acarohej me PS-në duke deformuar debatin në Këshillin e Qarkut.

Etika

Nga ana tjetër, kryetari i PD-së Igli Cara ka akses në “Shqiptarja.com”. Të pasnesërmen e mbledhjes së Këshillit të Qarkut, më 10 nëntor 2013, raportuesi i Durrësit ka botuar një intervistë me kreun e selisë vendore për problemet në PD dhe emërimet e dikurshme në administratën publike. Këtu Cara deklaron, ndër të tjera, se “gjatë zgjedhjeve të korrikut për kreun e partisë, jo vetëm unë, por pothuajse të gjithë krerët e degëve, u shmangën nga grupet e punës në bazë të një vendimi të kreut të atëhershëm Berisha. U krijuan grupe pune të posaçme për hartimin e listave zgjedhore. Në Durrës ky grup përbëhej nga Sabah Jemishta kryetar dhe nga Seid Kërtusha, Zamir Ramadani, Klodian Pajuni dhe Kujtim Iliazi anëtarë. Ishin këta që përpiluan listat e zgjedhësve si dhe u morën me mbarëvajtjen e zgjedhjeve”. Në këtë rast, me sa duket, Korriku shfajësohet për shkrimin e 6 nëntorit me titull “Durrës, PD e ndarë në dy klane reflektohen përplasjet në Tiranë”, ku përmend edhe Seid Kërtushën, ish-zëvendësdrejtor ekzekutiv i APD sha, në “grupin që mbështet Lulzim Bashën”. Sikurse mësoi “Dyrrahu”, në PD u befasuan me sajimin e dy klaneve. Të paktën, për etikë, thonë në selinë vendore, meqë Kërtusha e mbajti në punë si zëdhënës të Këshillit të Qarkut, raportuesi duhej informohej nga ish-punëdhënësi i vet mbi gjendjen reale në kampin demokrat dhe nëse donte të përmendej apo jo në mënyrë nominale në “Shqiptarja.com”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/