Nga Gladiola BUSULLA
Kushtuar Shpëtim Myshketës
Durrës, 10 nëntor 2013- Prej dy vitesh familjes, miqve, qytetit, letrave, kulturës shqiptare i mungon një figurë e nderuar. Kam pasur fatin ta njoh nga afër, kam pasur fatin të shkëmbejmë librat tanë, kam pasur fatin të shkruaj për vëllimin “Fli dashuria ime” me kërkesën e tij.
Profesor Shpëtimi një studiues i palodhur, model qytetarie dhe artist me kërkesa të larta ndaj vetes. Përkufizimi më i mirë për të do të ishte “Nulla dies sine linea” – “Asnjë ditë të mos kalojë pa hequr një penel”. Çdo çast duhet punuar për të arritur progresin, maksimalen. E të ndjerin profesor Myshketa të gjithë e mbajnë mend me një laptop përpara, duke lexuar a shkruar diçka. Gjithmonë duke krijuar.
Titulli i vëllimit të fundit “Fli dashuria ime” shëmbëllën me një paralajmërim të kobshëm. Poeti, shkrimtari, përkthyesi aktiv që s’pushonte kurrë sikur parandjeu fundin e parakohshëm.Dhembje e parrëfyer njerëzore dhe keqardhje e madhe për humbjen e vlerave artistike dhe përkthimeve dinjitoze. Poeti s’frymonte më, por shpirti i tij mbeti pas duke komunikuar përmes veprave të tij.
Në parathënien që i paraprin veprës së tij “Palimpsest”, Martin Camaj do të shprehej: … Poezia ime i ka rrënjët në ato rrethana jete të cilat unë dua që të mbahen mend.
Nëse do t’i referohesha tematikës së përzgjedhur e të lëvruar në vëllimin poetik “ Fli dashuria ime”, ne do të dallojmë vërtetë gjurmë të kujtesës kolektive, në vargjet që aq këndshëm e natyrshëm pasojnë njëra-tjetrën. Autori përmes misterit të figuracionit letrar na shpreh se ligjet e jetës janë të gjithëkundshme , të gjithëkohshme dhe për gjithësecilin. Njeriu mbi të gjitha ka nevojë për dashurinë dhe lirinë, për mënjanimin absolut të përdhunuesve të këtyre dy vlerave themelore.
Tek Shpëtim Myshketa reflekton personaliteti i krijuesit të pjekur, me një ndjenjë të thellë përgjegjësie, i ndjeshëm ndaj fenomeneve shoqërore, siç është sindroma e histerisë kolektive, e sjellë përmes një alegorie aq të goditur në poezinë “Piramida”. Kemi të bëjmë me një krijues të mbrujtur me një ndërgjegje të lartë artistike, i cili nuk mundet të anashkalojë, përjetësimin e figurës më humane të njerëzimit, atë të shenjtores Nënë Tereza.
Poeti është vëzhgues i hollë dhe syrit të tij kritik, nuk mund t’i shpëtojë bukuria dhe gjallëria e jetës; ajo forcë shpirtërore që zbukuron njeriun dhe evidenton virtytin kundrejt vesit e makutërisë. Publiku i sotëm është njerëzimi modern i shekullit XXI; ai është i shumëllojtë, gjithnjë në lëvizje, si një perpetuummobile, ka interesa gjithëfarësh, por si kundërpërgjigje merr këtë vëllim, ku gjejmë poezinë shumëformëshe në zhvillim të pandërprerë që bashkon në vetvete ndjenjën, kujtimet, misterin, dëshirën për çlirim shpirtëror, fizik, individual, shoqëror, të bukurën, vdekjen, njerëzit e dashur, lirinë, miqesinë, dashurinë, rininë. Poeti qëndron i fshehur njëlloj si Zoti në qendër të botëve të tija, duke u bërë i dukshëm vetëm përmes krijesave të tij; pra poezive.
Mendoj se Shpëtim Myshketa, përsa i përket gjuhës është nga ata poetë që në raport me gjuhën kombëtare, së pari e ruajnë atë, dhe së dyti e zgjerojnë dhe e pasurojnë. Botën dhe ndjenjat i gjejmë të sendërtuara në përfytyrime dhe imazhe artistike. Ai është nga ata poetë që i bëjnë njerëzit më të vetëdijshëm në raport me të lexuarin, por pa u treguar aspak ekscentrik. Fjalori artistik i Myshketës reflekton erudicion, kulturë të gjerë, sensibilitet në pasqyrimin e tablove të jetës.
Poeti ynë është i butë dhe i ngrohtë; njerëzisht i ashpër, por paqësor. Ai vlerëson dhe rivendikon rëndësinë e lirisë. Me kalimin e viteve, kur pesha e tyre fillon të rëndojë disi, arsyeja nis të mbizotërojë dhe të fitojë epërsi ndaj emocionit.Poezia e thellon karakterin e saj meditativ. Këtë tipar, autori e mishëron plotësisht. Ai e gjen poezinë tek gjithçka që e rrethon dhe ka të projektuar njëkohësisht, vizionin poetik për gjithçka në botë.Ndonjëherë e nanurit të kaluarën në kujtime e mbresa të së shkuarës që brofin dhe shfaqen, përmes një sintakse (si bashkërendim i të gjitha elementeve që janë në funksion të mendimit poetik).
E kaluara, megjithëse e largët, e mekur, konservon ende diçka ngacmuese, në sajë të së cilës, ndjenja vazhdon të qëndrojë pezull.





