DURRËS, 9 nëntor 2013 – Durrsakët furnizohen në pus-shpimet e Fushë-Kuqes në Laç me ujë të pijshëm brenda standardeve, kështu del nga një studim i ekspertëve të mjedisit, të vitit të kaluar. Sasia e ujit që shfrytëzohet në horizontin ujëmbajtës zhavorror të Fushë-Kuqes (Laç) është 1250-1300 l/sek l/sek për furnizimin e qyteteve të Durrësit, Laçit, Milotit, Mamurrasit dhe rreth 15 fshatrave të zonës deri në Durrës. Është horizonti ujëmbajtës me shfrytëzim më intensiv në Shqipëri: K(0.35-0.5). Qarku i Durrësit furnizohet me anë të 13 puseve, shtatë puse nga të cilët ndodhen në pellgun ujëmbajtës të Fushë-Kuqes pranë shtratit të lumit Mat me një thellësi rreth 52-56 m dhe gjashtë puset e tjerë ndodhen në Basenin e Fushë-Krujës, me një thellësi rreth 60m. Këto pellgje ujëmbajtëse garantojnë ujë cilësisht të pastër. Linja e transmetimit kryesor, e cila shtrihet nga burimi i ujit në Fushë-Kuqe deri në qytetin e Durrësit ka një gjatësi rreth 45 km, me diametër DN 700 mm, e cila punon me ane te 12 pompave centrifugale me rotor të lidhura në seri, që përcjellin ujë me presion 33 atm deri në qytetin e Durrësit. Linja tjetër e transmetimit kryesor e cila shtrihet nga Basenin e Fushë-Krujës ka një gjatësi rreth 25 km, diametër DN 500 dhe 400 mm, i cili përcjell ujë deri në qytetin e Shijakut. Linjat e transmetimit janë prej materiali çelik, i cili dëshmon se i ka rezistuar më së miri presioneve të larta të ushtruara në to. Më poshtë, për lexuesin e interesuar, po botojmë fragmentin e studimit që i takon horizontit ujëmbajtës zhavorror të Fushë-Kuqes
Rreziku i ndotjes
Rreziku i ndotjes nga sipërfaqja është mesatar. Mund të vijë nga zona e ushqimit në veri të horizontit, shtrati i lumit Mat, nga i cili mund të priten depërtime të metaleve të rënda me prejardhje minerare. Risku më i madh për shkak të shfrytëzimit intensiv mbetet ai i rritjes së mineralizimit të përgjithshëm (kryesisht për rritje të natriumit e klorit) që vjen nga zhvillimi i hinkës së depresionit në drejtimin jugperëndimor ku predominon tipi i ujit me mineralizim të lartë. Monitorimi i cilësisë së ujërave nëntokësore në horizontin kuaternar të Fushë-Kuqes, u krye në 5 shpime që përfshijnë gjithë horizontin: Milot, Gurrëz, Fushë-Kuqe, Patok, Laç. Temperatura e ujit është T= 14.4-16 gradë Celsius norma (8-15, deri 20), pH i ujërave nëntokësore varion 7.79-8.39. Sipas normës së lejuar për ujë të pijshëm ky tregues është brenda normës (Ph = 6,5-8,5). Vlerat mesatare të pH për vitet 2007-2011 variojnë 7.8-8.27. Mineralizimi i përgjithshëm varion Mp=251.86-415.17mg/l dhe 979.72-1187.02 mg/l në Patok dhe janë brenda normës së lejuar. Ndryshimet e Mp në dy fazat e monitorimit variojnë nga 4-7mg/l deri190mg/l. Mineralizimi i përgjithshëm mesatar për vitet 2007-2011 varion Mp=247.3- 1000.44 mg/l. Ky tregues është paraqitur grafikisht për vitet 2007-2011 në fig. nr. 1.
Përmbajtja e amoniakut NH4
Nuk takohet përmbajtje amoniaku NH4 në fazën e parë të monitorimit, ndërsa në fazën e dytë takohet përmbajtje e tij në shpimet nr. 197 e 26, në sasinë 0.01-0.04mg/l sasi kjo brenda kufirit maksimal të lejuar (kufiri max i lejuar 0.05mg/l). Përmbajtja mesatare e amoniakut NH4, për vitet 2007-2011 varion 0-0.015mg/l. dhe jepet në fig. nr. 2 e krahasuar me standardet e STASH dhe BE (0-0.05, 0-0.5). Nuk ka tendencë rritje të amoniakut NH4-
Përmbajtja e Nitriteve NO2
Nuk takohet përmbajtje e nitriteve në fazën e parë të monitorimit, ndërsa në fazën e dytë takohet përmbajtje e NO2 në tre shpime në sasinë 0.01-0.02 mg/l në shpimet nr. 509, 197 e 26, sasi kjo brenda kufirit maksimal të lejuar (kufiri max i lejuar 0.05mg/l). Përmbajtja mesatare e nitriteve NO2 për vitet 2007-2011 varion 0.01-0.047 mg/l. Në fig. nr. 3 jepet përmbajtja e nitriteve në vite, ajo varion rreth vlerave 0-0.3 mg/l, përmbajtje deri mbi normë në 3-4 analiza në shpimet nr. 509, 26, 197. Përmbajtja e nitriteve në ujë të pijshëm nuk lejohet ndërsa përmbajtja maksimale e lejuar është sipas standardit shqiptar 0.05 mg/l (Norma BE eshte 0.1 mg/l). Përmbajtja e nitriteve shfaqet në 1-4 analiza në shpimet nr. 176 Milot, nr. 177 Patok. Nr. 509 Laç, nr. 197 Gurrëz dhe nr. 26 F.Kuqe, përmbajtja varion nga 0.1-0.3mg/l në shpimin nr. 509. Përmbajtja e nitriteve lidhet me mosrespektimin e zonave të mbrojtjes sanitare.
Përmbajtja e natriumit
Përmbajtja e natriumit varion nga 9.2-22.77 mg/l. Në shpimin nr. 177 Patok përmbajtja e Na është 297.25-339.25mg/l, përmbajtje kjo mbi standardin PML. Kjo vihet re gjatë gjithë viteve të monitorimit dhe në kohën kur është kryer ky shpim. Shpimi nr. 177 Patok shfrytëzon ujërat nëntokësore të shtresave të thella të cilat kanë ujë me përmbajtje natriumi të lartë. Në vitin 2011 vërehet një rritje e Na, trendi në vite është rreth 280-300 mg/l dhe përmbajtja mesatare 290.74mg/l. Ndryshimet e Na në dy fazat e monitorimit variojnë 3.22-41.63 mg/l. Përmbajtja mesatare varion 9.8-290.74 mg/l. Përmbajtja e Na në vitet 2007-2011 jepet në fig. nr. 4 e krahasuar me standardet e STASH dhe BE (20-100, 20-150).
Fortësia e përgjithshme
Fortësia e përgjithshme varion Fp=7.28-13.160 gjermane në shpimet nr. 176 Milot, nr. 197 Gurrëz, nr. 177 Patok, 26 Fushë-Kuqe. Ky tregues është brenda normës së lejuar, uji është me fortësi mesatare. Ndryshimet e Fp në dy fazat e monitorimit janë të vogla që variojnë 0.4-50gjermane. Vlerat mesatare të Fp për vitet 2007-2011 variojnë 7.5-14.60 gjermane. Vlerat e Fp për vitet 2007-2011 jepen në fig. 5 krahasuar me standardin STASH (10-20, 25PML. Në shpimin 509 ka ndryshime të Fp ose kërcime nga njëra fazë në tjetrën në vitet 2007 dhe 2010 duke arritur në Fp=19.32 0 gjermane, një rritje ka pasur në 2010, Fp=19.560gjermane. Ndryshimet lidhen me rritjen e përmbajtjes së magnezit, por mund të lidhen me uljen e niveleve pjezometrike në këtë zonë dhe me shfrytëzimin intensiv të ujërave nëntokësore.
Info
Komuna Fushë Kuqe shtrihet ndërmjet grykëderdhjes së lumit Mat dhe lumit Ishëm. Territori i komunës Fushë Kuqe ndodhet në pjesën veriore të Ultësirës Perëndimore. Ndodhet 50 km larg Tiranës, 40 km larg Krujës dhe 8 km larg Laçit. Nën administrimin e vet ka pesë fshatra: Gurrëz, Adriatik, Fushë-Kuqe, Gorre, Patok.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





