8 nëntor 2013 – Promovimi i vëllimit të dytë të fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Sistemit Komunist është bërë dje në Muzeun Kombëtar Historik, ku morën pjesë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Thomas Schrapel, Kreu i Fondacionit Konrad Adenauer, Kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, si dhe intelektualë, ish-të përndjekur, diplomatë, etj. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha se: “Unë jam e emocionuar që e mbaj në dorë këtë libër, jo vetëm për vlerat e tij historike, por edhe për vlerën e tij shkencore.
Ky libër i ndërtuar me parametra shkencore dhe sipas të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me një kërkim shkencor, përmban një informacion mjaft të vlefshëm që i thotë jo harresës”. E emocionuar me libër në dorë, ministrja e Kulturës Kumbaro kujtoi se i përkiste një familje ku prangat e terrorit komunist i ka ndjerë në duart e gjyshit të saj.
“Unë jam pjesë e një familje që ka vuajtur nën terrorin e prangave të sistemit komunist. Gjyshi im u dënua si tradhtar dhe familja ime vuajti pasojat, prandaj emocionohem kur kam një vepër të tillë në dorë”, tha ministrja e Kulturës.
Agron Tufa, Kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, tha se ky vëllim vjen 6-muaj pas publikimit të vëllimit të parë.
"Në faqet e këtij Fjalori, të nisur 6-të muaj më parë, i bëhet me dije gjithkujt që interesohet për përmasat e krimit, dhunës, terrorit, shtypjes, sikundër dhe formave të përndjekjes që shteti komunist njëpartiak ka ushtruar mbi qytetarët shqiptarë gjatë gjithë ekzistencës së tij, para dhe gjatë ushtrimit të pushtetit", tha Tufa .
Sipas tij, përveç përmbushjes së kësaj detyre të dëshmisë dhe kujtesës, si detyrim moral ndaj të vdekurve, sidomos kur ata janë viktima të pafajshme e të pambrojtura, ISKK synon, njëkohësisht, krijimin e një bazë të dhënash kombëtare me të dhënat më të plota për numrin e përgjithshëm të qytetarëve shqiptarë të persekutuar politikisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.Hartimi i këtij Fjalori Enciklopedik niset nga një ide e thjeshtë, në mbarim të çdo lufte, veprimi i parë që kryhet, është numërimi i viktimave, hartimi i një liste zyrtare të viktimave. Nën një regjim terrori, i cili zgjati për afër 50 vjet, përmasat e plojës tejkalojnë çdo betejë të thjeshtë. Prandaj, duke patur parasysh se nuk ekziston një bazë të dhënash të plotë të viktimave që shkaktoi persekutimi komunist ISKK vendosi të fillojë projektin e këtij Fjalori në shtatë vëllime plus një vëllim me shtojca e plotësime.
/ shqiptarja.com /





