Bëhet dasmë (TEC italian në Porto Romano) dhe dhëndri (Shqipëria) nuk di gjë

DURRËS-BARI, 7 nëntor 2013 – Bëhet dasmë (TEC italian në Porto Romano) dhe dhëndri (Shqipëria dhe Durrësi) nuk di gjë! Qeveria italiane miratoi më 19 shtator 2013 ndërtimin e linjës së transmetimit të energjisë elektrike nga TEC-i i Porto Romanos në drejtim të “Çizmes”, gjë që shkakton furtunë në rajonin e Barit, kurse në Durrës nuk është ndërtuar ndonjë TEC me qymyr nga ENEL-i. Linja elektrike nga Porto Romano-ja fut 6 qytete italiane në luftë, kështu njofton titull në numrin e 6 nëntorit 2013 e përditshmja puljeze “Gazzetta del Mezzogiorno” (Elettrodotto dall’Albania 6 città sul piede di gurra, shih faksimilen e faqes on-line). Sipas kësaj gazete, një linjë e energjisë do të fillojë nga bregdeti shqiptar deri në Polignano dhe do të shtrihet në territoret e qyteteve / komunave të Mola-s, Conversano-s, Rutigliano-s, Turi-t dhe Casamassima-s. Ky projekt, i cili tashmë ka marrë miratimet të ndryshme, përfshirë departamentin e energjisë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (vendimi nr. 239 datë 19 shtator 2013, shih faksimilen e faqeve 1 dhe 10 të vendimit), për llogari të “Enel Produzione Spa” dhe, që prek rajonin e Sud Est Barese-s, po turbullon ujërat, thotë gazeta. Në komunat e Sud Est-it, po kërkojnë detaje për këtë projekt, sidomos në zonat ku do të ngrihen kantieret dhe mbi ndikimin në mjedis dhe në një territor në të cilin ka shumë vende arkeologjike dhe zona të mbrojtura. Të parët që përhapën lajmin ishin aktivistët e Lëvizjes Schittulli.  Lucia Brescia, këshilltare bashkiake në Polignano dhe pedagoge në liceun shkencor “Simone” në Conversano, kërkoi në administratën bashkiake të qytetit të saj mbledhje të të jashtëzakonshme të këshillit bashkiak. Iniciativa anti-Porto Romano janë ndërmarrë dhe nga bashki / komuna të tjera. Në këtë kohë po konsiderohet mundësia e një sesioni të përbashkët të gjashtë këshillave bashkiakë. Problemi po shkon dhe në parlament. Sipas gazetës, linja e transmetimit të energjisë elektrike do të fillojë nga TEC-i me qymyr në Porto Romano, qyteti i Durrësit, Shqipëri, deri në bregdetin e Polignano-s dhe prej këtej në Sud Est. Projekti mban firmën e “Enel Produzione”-s dhe ka miratim ministror për një lidhje me gjatësi 31 km në tokë dhe 27 km në det, i quajtur teknikisht “linjë tregtare”,  me rrymë të vazhdueshme deri në 500 megavat, për të importuar energji nga TEC-i shqiptar me qymyr, që do të hyjë në funksionim në qershor 2014. Ndërkaq Bashkia e Durrësit dhe komuniteti i qytetit dhe komunës së Katundit të Ri, si dhe shoqatat mjedisore (shih faksimilen e Ekolëvizjes), me këshillën e ambasadës amerikane, kanë kundërshtuar qeverinë e mëparshme për lejen e ndërtimit të TEC-it. Deri dhe ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit Ferdinand Xhaferaj, në fushatën elektorale të 2011-ës përballë rivalit të tij Vangjush Dako, premtoi kundërshtimin e vendimit të kryeministrit të asaj kohe Sali Berisha!

Dokument

ENEL-I PËRGATITET TË EKSPORTOJË NDOTJEN NË SHQIPËRI

Studim i BANK WATCH, 27 prill 2010

Gjiganti italian i energjisë ENEL po planifikon të ndërtojë një central me qymyr e energjisë termike të përbërë nga dy njësi 800 MW në Porto Romano afër qytetit të Durrësit në Shqipëri. Në qoftë se ndërtohet, do të jetë investimi më i madh në historinë e industrisë së energjisë shqiptare. Tetëdhjetë e pesë për qind e energjisë së prodhuar do të eksportohet në Itali. Avantazhet e projektit për Enel-in janë të qarta: ndërtimi i një centrali në Shqipëri në vend të Italisë do të thotë se kompania nuk do të blejë emisionet, duke shpëtuar 232,5-325.5 milionë euro më vit (në varësi të emisioneve të karbonit dhe të çmimit të tregut të tyre). Megjithatë ajo që duket shumë më pak e qartë është se çfarë përfitime do të ketë për Shqipërinë. Qeveria shqiptare, e tërhequr nga premtimet e paprovuara me kosto të çmimit të energjisë elektrike nga centrali, duket se për miratimin e projektit nuk pa pasur nevojë të vlerësuar siç duhet për kostot dhe përfitimet e saj , por dhe reagimeve të popullatës lokale dhe organizatave të mjedisit. Projekti nuk e përmend askund Strategjinë Kombëtare Shqiptare të Energjisë dhe nuk do të luajë ndonjë rol të rëndësishëm në sektorin energjetik të Shqipërisë për shkak se vendi ka rezerva të konsiderueshme. Qëllimi kryesor i këtij studimi është të ndihmojë përpjekjet e grupeve shqiptare mjedisore për të arritur në një vendimmarrje më të përgjegjshme, gjithëpërfshirëse dhe proces transparent. Një studim i vlerësimit të ndikimit në mjedis është botuar, por ka ngritur më shumë pyetje se përgjigje. Vlerësohet se nuk ka alternativa teknologjike ose të lëndëve të djegshme për termocentrali qymyri, çfarë ndikime do të ketë në komunitetin lokal, çfarë do të ndodhë me hirin dhe nuk arrin të shqyrtojë ndikimin serioz në klimë. Nëse këto TEC-e do të ndërtohen, emetimet e CO2, për të gjithë vendin do të rriten më shumë se 2,5 herë nga nivelet aktuale. Si rezultat i kësaj, kur vendi të bashkohet me BE-në, do të ketë impakt në të gjitha sektorët e ekonomisë shqiptare. Po ashtu nuk ka ndonjë studim serioz mbi ndikimet kumulative mjedisore të disa projekteve të planifikuara në këtë zonë, duke përfshirë një terminal për magazinimin e produkteve të naftës dhe të gazit dhe një rafineri. Pothuajse asnjë informacion nuk është i vlefshëm për realizueshmërinë ekonomike të centralit me qymyr ose koston e energjisë elektrike që do të prodhojë, as nëse një i tillë do të pengonte zhvillimin e industrive potenciale si ato të rinovueshme apo të industrisë turistike. Një analizë e impianteve ekzistuese të energjisë në Shqipëri dhe planeve për hidrocentrale të reja , bioenergjisë dhe energjinë eolike, tregon se nga pikëpamja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike nuk ka nevojë për të tilla centrale.

NJË VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM TEKNIK I PROJEKTIT

Sipas Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), termocentrali do të përbëhet nga dy centrale me qymyr 800 MW secili, nga ku 41 MW (5,1 për qind), do të jetë për përdorim të brendshëm. Centrali  do të ketë efikasitet neto prej 44,7 për qind në vit dhe do të jetë rreth 13 MW/orë, pra dy herë më shumë si e gjithë energjia e prodhuar në vend apo e importuar në Shqipëri në 2005. TEC-i do djegë qymyr të sjellë me anije, duke përdorur një skelë të re 950 metra të gjatë. Konsumi i qymyrit do të jetë rreth 240 tonë/orë për çdo njësi. Për rreth 8 000 orë në vit (koha operative), sasia totale e qymyrit të përdorur çdo vit do të jetë rreth 3 850 000 tonë (konsumi për dy njësi). Centrali  do të jetë i lidhur me rrjetin italian të energjisë elektrike me anë të një kabllo nënujore, nëpërmjet të cilave 85 për qind të energjisë elektrike do të eksportohet, dhe me  rrjetin ekzistues kombëtar  të energjisë nëpërmjet nënstacionit 2 Tiranë. Vendi i propozuar është një sipërfaqe prej rreth 80 hektarë tokë të sheshtë fushore, e vendosur pak kilometra në veri të Durrësit dhe 25 kilometra në veri-perëndim të Tiranës.

NDIKIMET  MJEDISORE

Shëndeti publik

VNM-ja paraqet të dhëna të mjaftueshme rreth situatës themelore kombëtare, të bazuar në studimin e Organizatës Botërore të Shëndetit për Shqipërinë në 2005, situatën lokale aktuale për shëndetin publik në Porto Romano, bazuar në një raport nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë të botuar në 2005. Duhet të theksohet se zona e Porto Romano është e njohur tashmë si pikë e nxehtë mjedisore për shkak të pranisë së një ish-fabrike të prodhimit të lindanit, e cila e ka kontaminuar zona përreth. VNM-ja pranon ndikimin negativ mbi shëndetin publik të shkaktuara nga zhurma dhe emisionet gjatë ndërtimit dhe operimit të termocentralit. Megjithatë, ai nuk arrin të bindë lexuesit se ndikimet në shëndetin publik janë të pranueshme ose të mundshme për t’u zbutur.

AJRI 

Sipas VNM-së përqendrimet në tokë, prodhuar nga veprimtaria e uzinës do të jenë gjithmonë nën normat e vendosura nga BE-ja dhe legjislacioni shqiptar dhe do të jenë të krahasueshme me gjendjen aktuale të cilësisë së ajrit. Në të njëjtën kohë përqendrimet e grimcave pezull (PM), regjistruar në stacionin e Durrësit gjatë monitorimit të cilësisë së ajrit, tashmë i tejkalon kufijtë evropianë dhe shqiptarë, që do të thotë se TEC-i do të ketë ndikim negativ kumulativ dhe cilësia e ajrit do të shkojë duke u ulur. Për këtë arsye, nga pikëpamja e ndotjes së ajrit është tepër e rekomandueshme shmangja e ndërtimit si burim i ndotjes së re.

UJI

Cilësia e ujit të detit mund të ndikohet nga sedimente nga erozioni dhe kullimi i   mbeturinave dhe derdhjen e llumit, naftës së përdorur, vajit hidraulik, bojërave, tretësve  dhe materiale të tjera të ngjashme. Mund të ketë gjithashtu ndikime në përmbytje sipas sezoneve (mbi të gjitha në dimër) për shkak të ndryshimit të rrjetit të kanalizimit. Shkarkimet termike (shkarkimit 53 m3/s në ΔT = C 8 °) gjithashtu mund të ketë efekte negative në ekosistemet detare.

MONUMENTET E KULTURËS

Autorët e VNM-së njohin dhe pranojnë ekzistencën e vendet e trashëgimisë kulturore pranë zonës së ndërtimit të  projektit por ata nuk kanë diskutuar apo vlerësuar ndikimet e mundshme negative të projektit ndaj tyre, as masat e mundshme për ruajtjen e tyre. Muri i nënujshëm në Porto Romano, fshati i fundosur i periudhës helenistike dhe vendet arkeologjike si tempujt arkaikë apo prehistorikë janë propozuar për emërimin si park kombëtar arkeologjik. Këto zona arkeologjike janë të vendosura pranë zonës së termocentralit por jashtë perimetrit të saj dhe do të vuajnë , në mos humbjen e tyre, dëmtime të pariparueshme.

MBETJET E HIRIT

Sipas VNM-së TEC-et do të japin 44 800 tonë hi, nga të cilat mbi 400 mijë tonë do të “fluturojnë” çdo vit. Nuk është e specifikuar se çfarë do të ndodhë me hirin, por është përmendur se “hiri mund të hiqet nga kamionë ose transferuar me transportierë në mol, për t’u ngarkuar në anije. Mbetet e paqartë nëse kjo sasi e hirit është, me të vërtetë, do të ngarkohet në anije dhe – dhe nëse po, ku do të shkojë apo do të asgjësohet diku në vend, sidomos, duke pasur parasysh faktin se më shumë se 65 për qind e hirit do të shkojë në ajër, duke u rikthyer në tokë.

Qymyri do të magazinohet në ajër të hapur , në dy objekte, secili rreth 450 x 60 metra, me një kapacitet prej rreth 220 000 tonë, dhe gëlqeroret do të ruhet edhe në një pirg të hapur. VNM-ja nuk merr parasysh natyrën e sipërfaqes në të cilën këto depozita do të jenë vendosur, e as ndonjë masë për mbrojtjen e tokës. Nuk ka as informata për rehabilitimin e kësaj sipërfaqeje. Sipas VNM-së, sasia e grimcave pezull (PM), do të ishte 0,281 kg/orë për qymyrin dhe 0,0398 kg/orë për gëlqerorët. VNM-së i mungon diskutimi i mjaftueshëm për menaxhimin e duhur të mbeturinave dhe hirit nuk ka informacion mbi alternativa të ndryshme apo masa për zbutjen e këtij impakti.

NDIKIMET KUMULATIVE

Siç u përmend më lart, ka plane të tjera të investimeve për zonën e Porto Romanos, p.sh. një terminal për depozitimin e produkteve të naftës dhe gazit, një rafineri dhe industri të tjera. Prandaj ndikimi kumulativ i të gjitha industrive të parashikuara në shëndetin publik dhe mjedisin duhet të rivlerësohen. Megjithatë, Vlerësimi i Shpejtë Mjedisor, i cili tashmë është kryer për Porto Romanon dhe Parkun Energjetik Industrial, është i pamjaftueshëm, sepse nuk është përcaktuar as madhësia e termocentralit të planifikuar, as karburanti që do të përdoret dhe për këtë arsye nuk mund të parashikohet asnjë nga ndikimet  në mënyrë të detajuar.

ÇLIRIMI I CO2

Emetimet e CO2 nga TEC-et do të ishte 1166 ton në orë, që për 8000 orë në vit veprimtari, arrin në 9 328 000 ton në vit. Emetimet e CO2 aktuale të Shqipërisë janë 5.500.000 tonë, kështu që emisionet nga termocentrali do të shpien Shqipërinë në pothuajse 15 milion tonë. Kjo do të thotë se emisionet e GHG (gazrat serrë) të vendit do të rriten 2,5 herë në krahasim me emisionet aktuale, dhe kjo si rezultat i vetëm një TEC-i. VNM-ja nuk arrin ta adresojë ndikimin e investimeve në klimë apo çdo të bëhet për kapjen e karbonit e vendet e magazinimit. Varianti i CCS (teknologji e kapjes së karbonit) së paraqitur, është, megjithatë, një teknologji e paprovuar dhe komplekse për realizueshmërinë e saj, ndikimet sociale dhe mjedisore, kostot e teknologjisë etj. Centralet do të kontribuojnë në intensifikimin e ndryshimit të klimës, që tashmë është rënduar në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare dhe ndikimet e mundshme negative mbi pozitën e Shqipërisë në kuadër të negociatave për klimën ndërkombëtare dhe politikën e BE-së.

NDIKIMET EKONOMIKE

Tetëdhjetë e pesë për qind e energjisë elektrike të gjeneruar nga TEC-et do të transmetohet në Itali, ndërsa 15 për qind do të shitet në Shqipëri, me çmimin e kostos. Kjo sipas argumenteve të qeverisë shqiptare. Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë përfitimesh reale do të ketë për Shqipërinë pasi nuk ka analiza reale të kostos. Duke pasur parasysh se: qymyri do të importohet; teknologjia e përdorur do të jetë relativisht e shtrenjtë; shpenzimet kapitale mund të përfshijnë edhe koston e linjës nënujore të transmetimit del se është e paqartë nëse kostoja e energjisë elektrike do të jetë përfitim i mjaftueshëm për Shqipërinë apo jo. Sipas legjislacionit tatimor shqiptar, TEC-i nuk do të paguajë asnjë taksë për qymyrin e importuar, për shkak se do të konsiderohet si një lëndë e parë që përdoret për prodhimin e mallrave për eksport dhe do të përjashtohen nga taksat. Kjo do të ulë koston e prodhimit, nga e cila do të përfitojë Shqipëria, por kjo mund të mos vlejë nga humbja e taksave. Nëse këto TEC-e do të ndërtohen, emetimet e CO2, për  të gjithë vendin do të rriten më shumë se 2,5 herë nga nivelet aktuale. Tetëdhjetë e pesë për qind e energjisë elektrike të gjeneruar nga TEC-et do të transmetohet në Itali. Sipas legjislacionit tatimor shqiptar, TEC-i nuk do të paguajë asnjë taksë për qymyrin e importuar.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/