Nga Pëllumb Xhufi
 

 4 Nentor 2013 – Ngjan me një lojë basti, por pyetja-enigmë që shtrohet këto ditë, në prag të vizitës në Tiranë të Z. Karolos Papulias, është: si do të sillej sot, pas 8 vjetësh, Presidenti i Greqisë në rast se diku do të ndeshte në ndonjë grupim manifestuesish çamë, për t’i shfaqur atij, si përfaqësuesi më i lartë i shtetit grek, hallet e një popullsie të gjallë, por që politika greke e dëshiron me çdo kusht të vdekur? A do ta ndërpriste ai vizitën zyrtare, siç bëri në dhjetorin e vitit 2005, duke inauguruar një stinë të re ngrirjeje në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Greqisë? Apo shpreson ai se vizita e tij, kësaj radhe  do të rrjedhë e patrazuar dhe se policia shqiptare, e angazhuar si asnjëherë në luftën kundër “marrëzive”, i ka marrë masat që të mos tolerojë edhe ndonjë “marrëzi” të mundshme çame?

Edhe kjo mund të ndodhë, në fund të fundit jemi mësuar t’i shohim manifestuesit çamë të rrihen e të gjakosen nga policia e vendit të tyre. Por, edhe sikur kjo intermezzo çame të mos ndodhë, e çdo gjë të rrjedhë paqësisht sipas protokollit zyrtar, një fakt i hidhur, i hidhur sa më s’ka, duhet t’ia rëndojë si plumbi ndërgjegjen ish-luftëtarit të lirisë nga Voshtina, plakut të urtë Karolos Papulias: si Ministër i Jashtëm i vendit fqinj, dikur, në vitin 1987, bëri emër si shkrirësi i madh dhe ndërtuesi i urave në marrëdhëniet e ngrira shqiptaro-greke. Kurse tani, pas gati 30 vjetësh, rrezikon ta shoh veten në krye të një kori eskilian, që kërkon shpagim e ndëshkim ndaj asaj Shqipërie, që dikush në Greqi ishte mësuar ta shihte me sytë e afendikoit: kokulur, të bindur e “meteke” (të përjashtuar), por që papritur, për shkak të një “pakujdesie” të Athinës, mundi  ta fusë një këmbë në BE dhe të dy këmbët në NATO, duke i dhënë të drejtë vetes të ngrejë zërin e të “rebelohet”!

Ky është interpretimi që i bëri realitetit të marrëdhënieve greko-shqiptare grupi i 23 ambasadorëve elitarë grekë, pikërisht në prag të vizitës së Presidentit Papulias në Tiranë. Mes tyre binte në sy emri i z. Joannis Korantis, ish-ambasador në Turqi, ish-Drejtor për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme, ish-shef i shërbimeve sekrete greke dhe ish- kryetar i partisë ultranacionaliste LAOS, ku bënte pjesë edhe  “allvanito-fagu”  Jorgos Karaxhaferis, me emër dhe me gojë të shthurrur. Pikërisht ky, në një interpelancë të kërkuar me Kryeministrin Papandreu, në vitin 2009, i kërkonte këtij t’i tregonte dhëmbët Shqipërisë, ngaqë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, përmendeshin çamët dhe çështja çame!

Por, një lexim i realitetit të marrëdhënieve shqiptaro-greke me sytë e vëngër të militantëve të LAOS-it apo të Agimit të Artë, sigurisht është i gabuar. Shqipëria “meteke”, nëse kjo ka ekzistuar,  duhet konsideruar thjesht një anomali, një aksident në historinë e këtyre 21 viteve të demokracisë problematike shqiptare. Vullneti për të nxjerrë në dritë problemet e mprehta që ekzistojnë në marrëdhëniet me Greqinë fqinje, nuk buroi aspak nga politikanët, as nga rrethet intelektuale e mediatike të lidhura me ta. Këta, më së shumti janë të kapur e të korruptuar dhe vetëm sa janë përpjekur t’i injorojnë e t’i mbulojnë ato. Mjafton të kujtohet sjellja e tyre kur nënshkruheshin marrëveshjet e turpshme për delimitimin e hapësirës detare, kur hapeshin shkolla greke në Korçë e Himarë me koreografi e me fjalime nacionaliste të të dërguarve zyrtarë të Athinës e të “duleve” të Shqipërisë, kur ktheheshin përmbys varret e fshatarëve shqiptarë të Kosinës e Boboshticës për të ngritur mbi to memorialet e një “Vorio_Epiri” që ekziston vetëm në mendjet e sëmura të nacionalizmit grek. Në të gjitha ato raste, Tirana e zyrave dhe e salloneve heshti.

Vullneti për transparencë në marrëdhëniet shqiptaro-greke erdhi si një kërkesë nga poshtë, ndaj edhe është një shenjë emancipimi e pjekurie demokratike e popullit shqiptar. Ishte pikërisht presioni popullor, ishin manifestime të tilla, si manifestimi miqësor i çamëve i vitit 2005, që aq shumë dhe aq kot e “trembi” atëherë Z. Papulias, ato që e detyruan politikën kënetore të Tiranës zyrtare të përfshijë në axhendën e bisedimeve shqiptaro-greke problemet reale që ekzistojnë mes dy vendeve. Kjo e shpjegon edhe padurimin dhe arrogancën që tregojnë drejtuesit grekë, kur ndonjë bashkëbisedues shqiptar u kujton sot “Ligjin e Luftës”, apo “Çështjen çame”: “heronjtë” e politikës shqiptare janë trimëruar, pasi si asnjëherë më parë ata janë nën vëzhgimin, nën kontrollin e nën presionin e popullit të tyre.

Pra, kanë ndryshuar kushtet, dhe këtë e kanë kuptuar mirë edhe në Athinë. Dhe, duhet thënë, se aty, në Greqinë fqinje, jo të gjitha qëndrimet njësohen me ato të “fajkojve”, të tipit Korantis e Karaxhaferi. Fundi i palavdishëm i ish-konsullit grek, Ikonomut, që deri para disa muajsh, nga  Korça e Rilindjes dhe e Shkronjave Shqipe bënte thirrje “për të vazhduar betejën për Vorio-Epirin”, është një shembull shpresëdhënës. Idetë e çmendura të këtij ish-diplomati u dënuan nga të gjitha instancat, nga administrata, nga opinioni dhe nga vetë gjykatat greke. Është e vërtetë, se shërbimi i jashtëm ka përfaqësuar e përfaqëson  një bastion të mendimit konservator e nacionalist grek, siç e provon edhe shembulli shqetësues i 23 ish-ambasadorëve dhe i letrës së tyre shokuese, apo siç e provon edhe shembulli tjetër i porsacituar e mjeran i ish-konsullit Ikonomu. Por, duhet thënë, se edhe brenda atij mjedisi nuk kanë munguar zërat ndryshe. Një zë i tillë është edhe ai  i një diplomati grek të avanguardës, Aleksandros Mallias, ambasador i Greqisë në disa vende të botës e të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë (1999-2001), së fundi ambasador në SHBA (2004-2009), ish-Drejtor për Ballkanin e Këshilltar i disa Ministrave të Jashtëm, ish-Koordinator i Paktit të Stabilitetit për Greqinë dhe sot anëtar i spikatur i bordit të Fondacionit prestigjioz grek për Çështjet Evropiane e Ndërkombëtare (ELIAMEP). Janë të shumtë diplomatët, politikanët, intelektualët e gazetarët shqiptarë që e njohën atë dhe që e kujtojnë me simpati periudhën e shkurtër kur ai drejtoi Ambasadën helenike në Tiranë. E pra, ndryshe nga 23 kolegët e tij ish-ambasadorë, Aleksandros Mallias flet sot për nevojën e një raporti të ri (New Deal) me Tiranën dhe me shqiptarët, në përgjithësi. Në një artikull të tij, të botuar në aktet e ELIAMEP-it e të rimarrë nga gazeta “Tirana Times”, 19 prill 2012, Mallias deklaron hapur, se në marrëdhëniet e veta me shqiptarët, Athina duhet të ndahet nga axhenda e Beogradit dhe të ndërtojë axhendën e vet. Ky “fillim i ri”, për sa i përket Prishtinës, duhet të fillojë me njohjen pa kushte nga Greqia të Republikës së Kosovës. Kurse, për sa i përket Tiranës, duhet të fillojë me shpërndarjen e dyshimeve që ekzistojnë rreth Ligjit të Luftës me Shqipërinë, nëpërmjet nënshkrimit të një dokumenti eksplicit, të ratifikuar nga parlamentet e të dyja vendeve, duke i dhënë fund njëherë e mirë këtij ngërçi. Sigurisht, ndonjë pretendim, që Z. Mallias paraqet ndaj palës shqiptare, mund edhe të hajë debat. Sigurisht, ai nuk e ndjen, ose nuk e dëshiron të shtyhet aq përpara, sa të përfshijë në listën e çështjeve të pazgjidhura me Shqipërinë edhe problemin çam, apo të tjera probleme të bartura ose të lindura ndërkohë. Por ai paralajmëron me forcë, se marrëdhëniet greko-shqiptare duhen ndërtuar ndryshe, duke treguar saktësisht edhe pikënisjet e këtij ndryshimi. Dhe kaq nuk është pak, po të konsiderojmë rrethanat. Rëndësi ka fakti, që në 100-vjetorin e shtetit shqiptar, përtej qëndrimeve albanofobe e misalbane, Aleksandros Mallias, që dikur si Ambasador i Greqisë aq shumë u përpoq për promovimin e marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë, sot e ngre përsëri zërin për të treguar se përtej Greqisë së “fajkojve”, ekziston edhe Greqia tjetër, Greqia e referencave evropiane e demokratike.

Pikërisht këtu burojnë  interesimi, pritshmëritë dhe njëherësh dilemat për vizitën e Presidentit Karolos Papulias. Vizita e tij mund të shënojë një zhvillim epokal në historinë plot konvulsione të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Kushtetuta greke e përcakton Presidentin si njeriun që mund të bëjë luftën dhe paqen në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. E pra,  shumëkujt në Shqipëri i kujtohet, se ishte pikërisht Z. Papulias ai, që si Ministër i Jashtëm, me vizitën e tij mbresëlënëse të vitit 1987, inauguroi një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, atë të paqes e të dialogut. Fati e sjell, që ky burrë i ditur e fisnik, i respektuar sa në Greqi, aq edhe në Shqipëri, ta vizitojë Shqipërinë, kësaj here si President i Greqisë fqinje, në një tjetër moment dramatik të marrëdhënieve greko-shqiptare. Atij i takon të luajë përsëri rolin e pionierit në gjetjen e një gjuhe e të një “deal”-i të ri në marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë e me shqiptarët. Do të kryente një mision të denjë për detyrën dhe për historinë personale të tij.

Burimi : http://gazetadita.al/kthimi-i-nje-presidenti-ose-nje-mesazh-publik-per-viziten-e-papulias-ne-tirane/