3 nëntor 2013- Me rastin e vizitës së Presidentit grek Karolos Papulias në Tiranë, shoqata "Çamëria" do të organizojë nesër një protestë në orën 10:00, përballë selisë së presidencës. Gjatë një konference për shtyp, kreu i shoqatës Çamëria, Ardian Tana, tha:

Vizita dy ditore e Presidentit grek Karolos Papulias në Shqipëri, është rasti më i mirë që shoqata "Çamëria" t’i bëjë të ditura institucioneve greke në nivelin më të lartë, se problemi çam ekziston dhe se koha nuk pret më për zgjidhjen e tij. Afro 20 vjet më parë, në vitin 1994, në cilësinë e Ministrit të Jashtëm, zoti Karolos Papulias i kishte thënë homologut të vet zotit Alfred Serreqi, se çështja çame nuk mund të zgjidhej, atëherë kur plagët ishin ende të hapura dhe se do duhej të kalonin 20 vjet, që ajo të përballohej qetësisht.Duke respektuar rekomandimin e tij, ne besojmë se zoti Papulias nuk do të tërhiqet nga ajo çfarë ka thënë 20 vjet më parë. Për disa arsye:

-Ne e dimë se Presidenti grek është njeri i Rezistencës antifashiste, diçka që i bën atij vend nderi në historinë e sotme të Greqisë dhe në atë të rajonit. Si i tillë ai duhet të kujtojë përpjekjet e përbashkëta të shqiptarëve çame dhe grekëve në lëvizjen antifashiste : EAM dhe ELLAS, të ligjëruara dhe nëpërmjet Marrëveshjesh bashkëpunimi si Marrëveshja e 10 gushtit në Konispol. Janë mbi 500 bij e bija  të Çamërisë të rreshtuar në radhët e lëvizjes antifashiste greke, lëvizje ku militoi dhe Presidenti Papulias, dhe ai s’duhet të mohojë bashkëluftëtarët e vet për të justifikuar genocidin mbi Çamërinë, siç ka bërë Agimi i Artë dhe  ndonjë forcë tjetër politike greke. Janë 5000 të vrarë, të dhunuar, të përdhunuar nga bandat e Zervas, mbi 35 mijë të dëbuar, mijëra shtëpi dhe prona të shkatërruara dhe grabitura, që s’mund të justifikohen me manipulime të historisë.Ne i kërkojmë Presidentit grek të rreshtohet me atë pjesë përparimtare të qarqeveakademike, të shoqërisë civile greke që e pranon fajin e vendit të vet ndaj komunitetit çam dhe kërkon pagimin e këtij borxhi që gjendet në sirtarët e historisë. Në emër të Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve, Greqia duhet të abrogojë të gjithë ato ligje që bien ndesh me të, në veçanti ligjin e luftës.

Në kuadër të zbatimit të detyrimeve greke ndaj këtij Traktati, duhet të njihen detyrimet ndaj popullsisë çame dhe shqiptare në përgjithësi, sa i takon pranimit të fajit për genocidin, njohjessë të drejtave themelore të njeriut, ku përfshihet e drejta për restaurimin e shtetësisë, të drejtat pronësore, ato kulturore, gjuhësore, etj. Në veçanti, meqenëse Greqia vazhdon të insistojë për ngritje varrezash të tjera ushtarësh grekë në Shqipëri, diçka që provokon kujtesën tonë kombëtare, ne i kërkojmë zotit Papulias të pranojë ngritjen në Greqi të varrezave të komunitetit çam, dhe të monumenteve që përkujtojnë dëshmoret tanë në luftën antifashiste dhe viktimat e pafajshme të një faqeje të turpshme të historisë së vendit fqinj. Ne i kërkojmë Greqisë që në emër të miqësisë së qëndrueshme me kombin shqiptar, të zgjidhë përfundimisht këto probleme.  Falë PDIU-së dhe përfaqësimit tonë politik, ne kemi arritur që këto kërkesa t’i shndërrojmë në qasje të detyrueshme të shtetit shqiptar ndaj Greqisë, nëpërmjet Rezolutës për çështjen çame të legalizuar kohët e fundit. Duke vlerësuar qëndrimet e fundit të qeverise shqiptare, përmes ministrit tonë të Jashtëm, dhe institucioneve të tjera shtetërore, ne besojmë se politika shqiptare duke kërkuar respektimin e parimit të reciprocitetit, do të përmbushë detyrimet e saj kushtetuese dhe kombëtare, për çuarjen perpara të çështjes çame. Të bindur më shumë se kurrë në drejtësinë e kauzës sonë, ftoj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në tubimin që Shoqata Patriotike Çamëria do të organizojë përballe Presidencës, ditën e hënë, në orën 10".