3 nëntor 2013- Presidenca shqiptare ka bërë me dije se homologu grek është ftuar për të vizituar Shqipërinë nga kreu i shtetit Bujar Nishani. Papoulias sipas axhendës, do të zhvillojë në Shqipëri një vizitë treditore. Kreu i shtetit helen ka programuar të mbërrijë në Tiranë në Aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza” ditën e sotshme, por takimet zyrtare me krerët e shtetit do të nisin ditën e hënë. Presidenti grek do të shoqërohet dhe nga një delegacion i përbërë nga përfaqësues të qeverisë “Samaras”, të cilët do të zhvillojnë takime me homologët e tyre për çështje strategjike, si energjia dhe zhvillimi ekonomik. “Presidenti Nishani do të presë Presidentin Papoulias me një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje në institucionin e Presidentit të Republikës, ditën e hënë, 4 nëntor 2013. Pas ceremonisë, Presidentët Nishani dhe Papoulias do të zhvillojnë një takim së bashku, i cili do të vijojë me bisedimet dypalëshe ku do të marrin pjesë delegacionet përkatëse të kryesuara prej tyre. Në përfundim të takimeve, Presidenti Nishani dhe Presidenti Papoulias do të japin një konferencë të përbashkët shtypi. Presidenti Nishani dhe Presidenti Papoulias do të jenë të pranishëm, si dhe do të përshëndesin tryezën e rrumbullakët mbi ekonominë dhe energjetikën greko-shqiptare, që do të zhvillohet në hotel “Rogner”, më 4 nëntor 2013″, thuhet në njoftimin e Presidencës shqiptare.
DELEGACIONET
Disa ditë më parë, Ambasada greke në Tiranë ka shpërndarë ftesat e një aktiviteti që do të organizohet mes delegacionit shqiptar dhe atij grek. Zyra për çështje ekonomike dhe tregtare e Ambasadës ka njoftuar për mbajtjen e një tryeze të rrumbullakët në pasditen e 4 nëntorit, me temë: “Nisja e një kursi të ri – tryeza e rrumbullakët shqiptaro- greke për ekonominë dhe energjinë”. Përveç Presidentit grek Papoulias, në takim do të marrin pjesë edhe dy ministra, përkatësisht Dimitris Avramopulos, ministër i Mbrojtjes dhe Joanis Maniatis, ministër i Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimit Klimatik. Gjithashtu do të jenë të pranishëm edhe Panajotis Mikelaos, sekretar i Përgjithshëm për Marrëdhëniet Ekonomike dhe bashkëpunimin në Ministrinë e Jashtme greke dhe Ioannis Kougionas, kryetar i Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri. Energjia do të jetë tema kryesore dhe pjesë e diskutimeve do të jetë dhe gazsjellësi TAP që do të mbizotërojë tryezën. Në takimin e 4 nëntorit, nga pala shqiptare do të jenë prezent Presidenti i Republikës Nishani, si mikpritës i Papoulias dhe zv.kryeministri Niko Peleshi, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.





