3 nëntor 2013- Largimi i Miriam Canit nga prezantimi i “Dancing with the stars” vetëm katër ditë para natës së parë të show-t në “Vizion Plus”, u kthyer në temën e ditës në rrjetet sociale për të mësuar arsyen. Shumë u çuditën nga kjo sjellje rebelizmi e Miriamit, e cila deri tani kishte prezantuar karakterin e vajzës se qetë dhe të bindur. Pas shumë aludimeve për largimin e saj, në rrjetet sociale e vërteta pse producentja Holta Dulaku vendosi përjashtimin e saj, ishte sepse Miriami në javën e fundit të përgatitjeve i ka bërë presion asaj, duke i kërkuar para plus mbi marrëveshjen me të cilën kishte rënë dakord në fillim. Madje, ky presion pak para fillimit të spektaklit i është bërë producentets nga i fejuari i Miriamit, këngëtari Alban Skënderaj, i cili ka zhvilluar bisedën e sipërpërmendur. Holtës nuk i ka tingëlluar aspak e drejtë dhe normale kjo kërkesë pas rënies dakord më parë, dhe ndaj ka marrë vendimin për ta përjashtuar pa hyrë fare në bisedime për kompromis. E pushtuar nga komentet e ndryshme, Miriami vendosi të jepte variantin e saj të së vërtetës së largimit në facebook.
”Fakti që nga produksioni u ndryshua në moment të fundit marrëveshja fillestare që m’u bë (ku përfshihen shumë detaje profesionale si në çdo profesion), është arsyeja e vërtetë e largimit tim nga ‘Dancing’. Nuk ka asnjë arsye personale. Janë gjëra profesionale që nuk mund të bëhen publike, por që për mua janë parimore. Ndryshime kolosale 5 ditë para shfaqjes ma bënë të pamundur të nënshkruaja kontratën me produksionin”, ka pohuar ajo. “Nuk di t’i jap një emër, ndoshta “keqkuptim”, por shumë i rëndësishëm. Më vjen shumë keq, por nuk shkel dot mbi parimet e mia në punë. Korrektesa për mua është jo vetëm respekti ndaj tjetrit, por jetike në çdo gjë që bëj. Kam gati dy muaj që punoj, mendoj dhe përgatitem për këtë projekt dhe mua më lëndon më shumë se këdo, por janë gjëra që ndodhin. Gjithsesi, ka dhe më keq, ndaj nuk do doja që njerëzit ta bënin më temë këtë gjë. E pranoj se më vjen shumë keq për ata që prisnin të më shihnin live”, shkruan Miriami.
Pas largimit dhe nga “The Voice” në Top Channel”, nuk dihet se çfarë projekti mund të marrë përsipër Miriami, tashmë që sezoni televiziv i ri pothuaj i ka mbyllur projektet.
Jonida Maliqi në vend të Miriamit, rikthimi pas ikjes
Dhe pas përjashtimit të Miriamit, vetëm brenda pak orësh u gjend zëvendësuesja, pikërisht këngëtarja Jonida Maliqi. Edhe pse Jonida ishte e para që u tërhoq nga gara për shkak të preokupimeve të saj, duket se në rolin e prezantueses ia vlen të sakrifikojë. Ajo e ka pranuar menjëherë ftesën, pasi dihet që tashmë synon botën e televizionit si prezantuese pas sezonit të kaluar në “Top Channel”, në rolin e lideres së grupit të saj në programin “E dua vendin tim”. Jonida do të prezantojë “DWS” së bashku me Armina Mevlanin, dyshe që duket se po funksionon, ndërsa postojnë foto së bashku nga salla e kërcimit. Fotot e para në Instagram Jonida i shoqëroi me diçiturën: “Surprise…coming soon!”
/panorama plus /





