TIRANË, 2 nëntor 2013 – “Konferencat e rreme nuk mund të mbulojnë turpin e shkatërrimit të doganave 9 muajt e vitit '13.” Kështu i përgjigjet drejtoresha e Doganave Elisa Spiropali, ish-zv/ministrit të Financave Alfred Rushaj.
 
Reagimi erdhi pak orë pasi Rushaj doli në një deklaratë për shtyp për të quajtur mashtrim deklaratat e djeshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave se shifrat e të ardhurave për muajin tetor ishin në masën 105%. “Por çfarë përfaqëson “Plani Rama” në të ardhurat doganore? Me aktin normativ, qeveria Rama e uli me rreth 15% realizimin e të ardhurave nga doganat. Ç’do të thotë kjo? Realizimi (sipas qeverisë) me tejkalimin e planit në dogana, është në fakt 1,1 miliardë lekë, apo 11 milionë dollarë më pak se plani që kishte për detyrim të realizonte dogana.
 
E shprehur në përqindje, realizimi (sipas qeverisë) me tejkalim të planit në dogana, është as më shume, as më pak, por sa 90% e planit që Kuvendi i Shqipërisë i kishte vënë detyrë të realizonte, para se qeveria të miratonte “Planin Rama” me Akt Normativ.”- deklaroi Rushaj.

Më pas erdhën dhe reagimi i drejtoreshës së Doganave përmes dy postimeve të njëpasnjëshme në facebook.
 
“Konferencat e rreme nuk mund të mbulojnë turpin e shkatërrimit të doganave 9 muajt e vitit '13. Zoti i dhëntë forcë opozitës të gjejë veten!”

“I katandisën doganat në hane dhe vazhdojnë mashtrojnë hapur duke mohuar faktet. Tetor 2013 muaji i tretë më i mirë në historikun e doganave.”