TIRANE, 2 nëntor 2013 Partia Demokratike ka reaguar sërish për vrasjen e Elvis Doçit, pronarit të një kazinoje në Tiranë, i cili u ekzekutua në mënyrë mafioze pak ditë më parë në kryeqytet. Deputeti demokrat Gent Strazimiri kërkoi nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri të hedhë dritë mbi lidhjen e tij me viktimën, teksa nënvizoi se heshtja nuk ndihmon as drejtësinë dhe as ministrin. 

“U bënë më shumë se 72 orë që opinioni publik dhe opozita pret përgjigje nga ministri i Brendshëm në lidhje me disa pyetje të drejtuara në adresë të tij, por ministri vazhdon t’i bëjë bisht me një heshtje fajtore. 
Po përsërisim sugjerimin tonë drejtuar ministrit për hedhjen dritë mbi të dhënat tejet shqetësuese në lidhje me ngjarjen në fjalë, si dhe inkurajimin dhe nxitjen që të bashkëpunojë me drejtësinë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. 
– Zoti Tahiri, cila është lidhja që keni me viktimën Elvis Doçi i njohur si pronar lojërash fati ekzekutuar në mënyrë mafioze para pak ditësh në Tiranë? 
– A ka lidhje vrasja e tij me operacionin e koduar “Fund Marrëzisë” aq të pompuar nga ju personalisht? 
– Zoti ministër i Brendshëm, a keni komunikuar me viktimën dhe personat që e shoqëronin vetëm pak përpara krimit? 
– A jeni i gatshëm të autorizoni prokurorinë të këqyrë tabulatet e telefonit tuaj? 
Heshtja juaj nuk ndihmon askënd zoti ministër, as drejtësinë e as ju!”,- deklaroi Strazimiri. 

Elvis Doçi, 34 vjeç u ekzekutua mbrëmjen e 23 tetorit në kryqëzimin e rrugës “Komuna Parisit” në Tiranë, ku u plagos edhe kushëriri i tij Ali  DoÇi, 18 vjeç. Këta shtetas kanë qenë duke udhëtuar me automjet tip “Benz GL”, me targa AA 777 FH i drejtuar nga viktima, kur janë qëlluar me armë zjarri.