TIRANE, 2 nëntor 2013 – Partia Demokratike akuzon qeverinë dhe po tremb elektoratin korçar, pasi ka zbarkuar prej dy ditësh në qytetin juglindor. Përmes koordinatores për median Silvi Bardhi, PD thekson se nuk shqetësohet nga demonstrimi i forcës së qeverisë, pasi Korça do të dijë të vlerësojë vlerat e përfaqësuara nga kandidati i saj, Sotiraq Stratobërdha.
“E morët vesh? Ka zbarkuar e gjithë qeveria në Korçë, me kuç e me maç. Dy ditë do të qëndrojë atje. Pse? Për të mbajtur nën presion zgjedhësit korçarë. Abuzim i paparë. Nuk ka ndodhur kurrë. U ka kallur datën kandidati ynë, Sotiraq Stratobërdha. Është bërë për të qeshur ky kryeministër: E ka bërë qeverinë si ariun e cirkut, e gjezdis nga një qytet në tjetrin për të mbledhur kureshtarë. Zotëria harron se është në Korçë, është në qytet, në një qytet të vjetër, qytet i njerëzve të lirë. Është bërë për t’i qarë hallin ky kryeministër: E përdor qeverinë si dordolec për të trembur zgjedhësit. Zotëria harron se jemi në demokraci, se njerëzit janë të lirë dhe nuk mund të tremben me hijen e rëndë të qeverisë",- deklaroi Bardhi.
"E dëgjuat fjalimin që mbajti në Korçë dje? Shkoi të shiste për herë të dyte sapunin për djathë, por, një sapun që e ka katandisur sa një thua, ngaqë është shpëlarë me gënjeshtrat e panumërta elektorale. Tha disa herë: – “Fitoren e kemi të sigurt”, dhe nga ana tjetër, shpalli dëshirën e tij të vjetër për ta parë Korçën dhe Shqipërinë njëpartiake, si njëherë e një kohë. Edhe ta kesh fitoren të sigurt, edhe të kërkosh që zgjedhësit të votojnë vetëm për ty, kësaj i thonë të urresh pluralizmin. Ai qoftë, që ka guximin ta fyejë Korçën në këtë shkallë!”,- përfundoi Silvi Bardhi.





