MOSKË, 2 nëntor 2013 – Zyrtarisht, Rusia dhe OKB-ja nuk kanë specifikuar se Shqipëria do të “importojë” helmet siriane për t’i shkatërruar, por flitet për vende të treta, ndryshe nga sa konfirmon një diplomat anonim rus, i cituar nga mediet e stepave. Nga tjetër Moska druhet nga ndonjë sabotim euro-amerikan të asgjësimit të armëve kimike. Ka gjasa të jetë kjo arsyeja që nuk janë përcaktuar ende vendet e treta pritëse të helmeve siriane.

“ZËRI I RUSISË”

Sipas radios shtetërore “Zëri i Rusisë” në mes të nëntorit 2013 Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike do të miratojë planin e detajuar për shkatërrimin e armëve kimike siriane, citohet të ketë deklaruar koordinatorja e misionit të përbashkët të OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) në Siri, Sigrid Kaag (në foto), pas bisedimeve në Moskë me zëvendësministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Rjabkov (në foto). Nga ana e vet, Kaag theksoi se palët kanë forcuar idetë e mundësisë së zgjidhjes së problemit të armëve kimike siriane deri në mes të vitit 2014. “Ne kemi besim se në mungesë të provokimeve, përpjekjeve të vetëdijshme të forcave antiqeveritare dhe sponsorëve të tyre të huaj për të penguar këtë proces, ne do të mund ta realizojmë atë në kohën e caktuar”, – shtoi Sergei Rjabkov.

ZYRTARISHT

Rezervat kryesore të prekusorëve për prodhimin e armëve kimike do të magazinohen në rajonin bregdetar të Sirisë për t’u dërguar në një vend, i cili do të japë pëlqimin për shkatërrimin e tyre, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, pas bisedimeve në Moskë të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Sergei Rjabkov, me koordinatoren e misionit të përbashkët të OKB-së dhe ONAK-ut, Sigrid Kaag. Të dyja palët shprehën kënaqësinë në lidhje me përfundimin e suksesshëm të punëve në Siri për shkatërrimin e pajisjeve të prodhimit të armëve kimike, përzierjes së përbërësve të tyre dhe furnizimit të municioneve. Është vënë re një nivel i lartë i bashkëpunimit të autoriteteve siriane me misionin e OKB-së dhe ONAK-ut.

Analiza / “Kunji” i Kremlinit

“Ne kemi besim se në mungesë të provokimeve, përpjekjeve të vetëdijshme të forcave antiqeveritare dhe sponsorëve të tyre të huaj për të penguar këtë proces, ne do të mund ta realizojmë atë [plani i detajuar për shkatërrimin e armëve kimike siriane] në kohën e caktuar”, – ka deklaruar zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Rjabkov pas konsultimeve me njeriun e Pallatit të Qelqtë. Me sa duket, Moska druhet nga ndonjë sabotim euro-amerikan (sikurse i quan me politesë Rjabkov: “sponsorët e huaj të forcave antiqeveritare”) të asgjësimit të armëve kimike. Ka gjasa të jetë kjo arsyeja që nuk janë përcaktuar ende vendet e treta pritëse të helmeve siriane. Me këtë rast, deri në mes të vitit 2014 apo më tej, është ende herët të thuhet nëse po negociohet me Tiranën për të “importuar” lëndët kimike të Damaskut. Ndoshta, dhe lajmi i shpërndarë në mediet ruse për zgjedhjen e Shqipërisë si vend i tretë për asgjësimin e arsenalit kimik sirian, mund të jetë ndonjë “ballon d’essai” (“balonë prove”, këtu: tatim pulsi) ndaj një vendi “të orientuar drejt Uashingtonit”, të cilit Tirana nuk ia bën fjalën dysh.

Info / Komunikatë shtypi mbi konsultimet e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Rjabkov me koordinatoren e misionit të përbashkët të OKB – ONAK në Siri Sigrid Kaag

Më 1 nëntor 2013 u mbajtën konsultime të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse Sergej Rjabkov me koordinatoren e misionit të përbashkët të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) [anglisht: The Organisation for the Prohibition of Chemical Weapons (OPCW)] dhe OKB-së Zigrid (Sigrid) Kaag. U diskutuan çështje praktike të zbatimit të vendimit të Këshillit Ekzekutiv të ONAK-ut të 27 shtatorit të këtij viti mbi asgjësimin e armëve kimike në Siri dhe mbi rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 2118. Palët shprehën kënaqësinë për njoftimin e bërë paraprakisht nga ONAK-u mbi përfundimin me sukses të fazës së parë të çmilitarizmit kimik në Siri, që ka të bëjë me shkatërrimin e pajisjeve kryesore të prodhimit të armëve kimike, përzierjeve të përbërësve të tyre, si dhe predhave e municioneve për to. U shënua një nivel i lartë bashkëpunimi i autoriteteve siriane me misionin e përbashkët OKB-ONAK. Sikurse u  theksua, fillon faza kyç – e dyta – e çmilitarizimit kmik. Në këtë fazë pritet të bëhet konsolidimi në rajonin bregdetar të Sirisë, nxjerrja jashtë vendit e rezervave bazë të prekursorëve të armëve kimike për asgjësimin në vijim në një vend të tretë që jep pëlqimin për likuidimin e tyre nën kontrollin e ONAK-ut dhe autoriteteve siriane. Zbatimi i kësaj detyre tejet të vështirë, ndërmjet të tjerash, duke pasur parasysh kushtet e ndërlikuara ushtarako- politike të Sirisë, do të kërkojë vet pjesëmarrjen aktive dhe bashkëpunimin thelbësor të bashkësisë ndërkombëtare në përputhje me dispozitat e rezolutës 2118 të Këshillit të Sigurimit. (Marrë nga sajti i MPJ të Federatës Ruse, shih faksimilen).

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/