MOSKË, 1 nëntor 2013 – Pothuajse të gjitha mediet ruse pohojnë në titujt e tyre të lajmeve se “Helmet siriane do t’i pranojë Shqipëria”, duke ripërsëritur spekulimet e një të përditshmeje autoritare, që i referohet një burimi anonim diplomatik rus. Nuk dihet sa të vërteta janë këto lajme nga Moska, por çuditërisht si ministria e Jashtme shqiptare, si ajo e Mbrojtjes kanë heshtur. Në mediet ruse shkruhet se faza e parë e çarmatimit kimik të Sirisë është asgjësimi i pajisjes për prodhimin e substancave helmuese. Tani shtrohet pyetja kyç – ku duhet të shkatërrohen arsenalet e grumbulluara nga Damasku. Sikurse e ka bërë të ditur gazeta ruse “Kommersant”, ka më tepër të ngjarë të dërgohen në Shqipëri, duke iu referuar një burimi anonim diplomatik rus. Tani, tha i njëjti burim, SHBA-ja vazhdon negociatat me dy ose tre shtete. Amerikanët janë të angazhuar pë të gjetur shtete, të gatshme për likuidimin e arsenaleve kimike siriane në territorin e tyre, kur u bë e qartë se nuk ka ka vullnetarë. Rusia, nisma e së cilës bëri të mundur kalimin e armëve kimike të Damaskut nën kontrollin ndërkombëtar, nuk ka dashur të pranojë në vendin e saj mallin e rrezikshëm. Atëherë SHBA-ja iu drejtua Turqisë dhe Jordanisë, por ato refuzuan. Norvegjia kishte rënë dakord të shqyrtonte kërkesën e SHBA, por javën e kaluar gjithashtu nuk pranoi. Në këtë situatë Shqipëria mund të mos të jetë e vetmja zgjedhje reale. Sipas ekspertëve, Tirana, pothuajse tërësisht e orientuar drejt SHBA-së, si zor t’i thotë jo Uashingtonit. “Natyrisht, Shqipëria në krahasim me fqinjët e saj, ka infrastrukturë të pazhvilluar, probleme me efikasitetin e aparatit shtetëror, por, ndryshe nga vendet e BE-së, kundrejt më shumë stimujve, përfshirë ata materialë, mund të pranojë në territorin e saj substancat toksike, – i shpjegoi “Kommersant”-it eksperti i qendrës për kërkime politike i Rusisë, Andrej Baklicki. – Përveç kësaj, Shqipëria ka përvojë të mirë bashkëpunimi ndërkombëtar: gjashtë vjet më parë, autoritetet e këtij vendi kanë përfunduar për herë të parë në historinë botërore procesin e çarmatimit të plotë kimik, me ndihmën e Gjermanisë, Zvicrës dhe SHBA-së”. Tirana në vitin 2007 asgjësoi rreth 16 tonë iprit dhe substanca të tjera toksike, stoqe qysh në kohën e diktatorit Enver Hoxha. Duke iu referuar burimeve të informuara amerikane del, se krahas Shqipërisë në eliminimin rezervave kimike të Sirisë do të marrë pjesë edhe një shtet tjetër – ka gjasa, Belgjika apo Franca. Ndërkohë,burimi diplomatik rus nuk përjashtoi faktin se Rusia do të marrë pjesë në operacion dhe financiarisht- sipas” Kommersant”-it, Moska është gati të me rreth 2 millionë dollarë. Të tilla shuma do të paraqesin dhjetëra shtete.
Eksperti shqiptar
Për ekspertin e njohur të së drejtës ndërkombëtare, të “Center for Peace, Democracy and Development”, Agron Alibali, qeveria shqiptare ndodhet para një udhëkryqi aspak të dëshiruar. Në një analizë të botuar më 1 nëntor 2013 në “Gazeta Shqiptare”, Alibali vëren se e ballafaquar me njëmijë e një probleme të brendshme nga më të ngutshmet, Tiranës befas i kërkohet të zgjidhë hallet e botës. Eksperti thotë se nëse pas propozimit qëndron pala amerikane, mik i madh historik dhe aleat strategjik i Shqipërisë, atëherë problemi ndërlikohet pa dashje, çka e ve administratën shqiptare në udhëkryqin se kujt duhet t’ia prishë (d.m.th. popullit të vet) e kujt duhet t’ia ndreqë? Për Alibalin, edhe sikur Shqipërisë t’i ofroheshin 5 miliardë dollarë para në të holla, si dhe t’i faleshin të gjitha borxhet ndaj Bankës Botërore, përfshirë borxhin e TEC-it famëkeq prej 120 milionë dollarësh, pranimi i një propozimi të tillë do të ishte krejt i papranueshëm politikisht për qeverinë ‘Rama’. Juristi i specializuar dhe në Harvard shkruan se nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Konventa e OKB-së kundër Armëve Kimike. Dihet se më 11 korrik 2007, nën qeverisjen e kryeministrit Berisha, Shqipëria u bë vendi i parë që shkatërroi plotësisht dhe në mënyrë të verifikueshme arsenalin e vet modest prej 16 tonësh armë kimike. Alibali shtron pyetjen: Atëherë përse u dashka që arsenali i një vendi të tretë të përpunohet në Shqipëri dhe jo, ta zëmë, në vendet që e ndihmuan atë para 6 vjetësh? Për ekspertin shqiptar, duket se opsionet para Tiranës zyrtare duken jashtëzakonisht të kufizuara: ose ajo duhet të pranojë arsenalin sirian dhe t’u kthejë shpinën zgjedhësve të vet, ose t’i thotë një ‘JO’ të prerë propozimit të OKB-së, duke u shpjeguar miqve të huaj se qoftë politikisht, teknikisht, financiarisht, ekonomikisht dhe qoftë nga ana mjedisore, hyrja, shkatërrimi dhe depozitimi si mbetje i arsenalit sirian të armëve kimike të rrezikshme në territorin e Republikës së Shqipërisë është krejtësisht i pamundur dhe i papranueshëm.
Th. M. per Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





