TIRANË, 1 nëntor 2013 – Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali njoftoi sot përmes një deklarate për mediat se vetëm pas 31 ditësh në këtë detyrë ka tejkaluar planin për muajin tetor. 

Drejtoresha e doganave thotë se kur mori detyrën gjeti në dogana një situatë financiare të rënduar, por edhe njerëz të gatshëm e profesionistë. 

“Jam këtu për t’ju dhënë një lajm të mirë, pas vetëm 31 ditësh në krye të doganave. Kemi trashëguar një situatë shumë të rënduar nga korrupsioni dhe demotivimi i administratës doganore. Por kemi gjetur edhe njerëz profesionistë e të gatshëm për t’i shërbyer me përkushtim ligjit, shtetit dhe sipërmarrësve. Ndërkohë kemi bërë edhe disa ndryshime të domosdoshme në krye të një sërë doganash ku shifrat e të ardhurave kishin rënë në tokë bashkë me trarët e doganës. Dhe në vetëm 31 ditësh jo vetëm kemi tejkaluar planin, por shumë e rëndësishme të theksohet kemi kaluar ndjeshëm shifrën e muajit tetor krahasuar me realizimin e një viti më parë”.

Sipas Spiropalit, muajin Tetor janë arkëtuar 2.8 miliard lekë më shumë se muaji shtator i po këtij viti.

“Pra, Administrata Doganore realizoi planin e të ardhurave për muajin tetor 105% duke arkëtuar 13.244.199. Këtë muaj janë arketuar 2.8 miliard leke ose(rreth 28 milion USD) më shume se muaji shtator i këtij viti. Ky 2.8 mld lekë i arkëtuar më tepër këtë muaj, i cili realisht i ka munguar buxhetit të shtetit muajin e kaluar apo një vit më parë, është padyshim rezultati i parë i frymes së re ne qeverisjen e vendit dhe i fillimit të rimëkëmbjes së sistemit doganor, por mbi te gjitha i fillimit të prerjeve te lidhjeve te paligjshme, korruptive dhe nepotike që kanë brejtur sistemin Doganor”.

Rënia e mëparshme sipas Spiropalit ndodhi për shkak se shteti lëshoi frerët pas zgjedhjeve të Qershorit. 

“Të mos harrojmë se situata e administrates doganore ka qene e renduar shumë edhe si pasojë e lëshimit të frerëve të shtetit pas qershorit 2013, me rënie te vazhdueshme të të ardhurave në dogana. E megjithatë lajmi i mire është se nga janari realizimi i muajit tetor 2013 eshte gjithashtu 875 milion leke ( ose rreth 8.7 mln $) me i larte se tetori 2012. 

Numri një i doganave garanton se me përpjekje do mundohet të zvogëlojë boshllëkun në buxhetin e shtetit. 

“Ne do bëjmë përpjekjet maksimale per mbushjen e një zvogëlim të konsiderueshëm të boshllekut që është krijuar në buxhetin e shtetit ne 9-mujorin e pare te ketij viti. Dhe rritja e besimit në sistem dhe tek sistemi, shoqëruar me fillimin e rimëkëmbjes së ekonomisë do të sjellin më shumë të ardhura padyshim në arkën e shtetit vitin në vijim”.